Kryedemokrati Lulzim Basha në një prononcim për mediat nga selia blu ka reaguar në lidhje me dorëzimin e firmave nga ish-kryeministri Sali Berisha një ditë më parë për të thirur Kuvendin Kombëtar. Basha tha se PD nuk do të merret me hallet personale të Berishës. Sakaq, Basha theksoi se e ka betejën me Edi Ramën, ndërsa në Parlament ndodhen për të rrëzuar këtë regjim dhe për t’i kthyer qytetarëve shqiptarë votën e vjedhur dhe shpresën e vrarë.

“E gjitha ka qenë bllof për halle personale. PD nuk do merret me hallet personale të Sali Berishës. Do merremi me kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë, Edi Ramën dhe regjimin e tij ta çoj një orë e më parë përpara fundit politik. Ne jemi në parlament për të kthyer legjitimitetin në shina. Do ndërmarrim çdo aksion politik me ndihmë e partnerëve tanë, që shqiptarëve t’ju kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë.”-tha Basha për mediat.