Kryetari i Partisë Demokratike ka komentuar akuzat dhe sfidën që ish-kryeministri Sali Berisha i bëri gjatë paradites për të dalë në bazë dhe për tu përballur me anëtarësinë. Pak përpara nisjes së një mbledhjeje me kryesinë e grupit parlamentar, Basha tha se koha e Berishës ka mbaruar.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale.

Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës.
Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës

Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës” – tha Basha duke ashpërsuar për herë të parë gjuhën ndaj paraardhësit të tij.