Kushdo që është i interesuar të blejë Chelsean mund t’i drejtohet qeverisë së britanike dhe të bëjë një propozim. Kjo u bë e ditur nga qeveria, pas sanksioneve të vendosura ndaj pronarit aktual Roman Abramovich. “Meqenëse kushtet e licencës u shkruan sot, shitja nuk do të lejohej,” tha Ministri i Teknologjisë në Britaninë e Madhe, Chris Philp. “Megjithatë, nëse shfaqet një blerës, do të ishte e mundur që ai blerës ose ajo shoqatë futbolli t’i drejtohet qeverisë dhe të kërkojnë që kushtet të ndryshojnë për të lejuar shitjen”.

Qeveria ka ngrirë asetet e Abramovich, duke ndalur planet e tij të shpallura së fundmi për të shitur Chelsea, nga e cila ai priste të rikuperonte më shumë se 3 miliardë paund. Klubit londinez i është dhënë një licencë speciale për të vazhduar aktivitetet e lidhura me futbollin.

Në arsyet e treguara në dokumentin zyrtar ekziston një pasazh thelbësor që përcakton Abramovich “të lidhur me një person që është ose ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës dhe në dobësimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, përkatësisht Vladimir Putin, me të cilin Abramovich ka pasur marrëdhënie të ngushta për dekada. Kjo marrëdhënie interesi e ka lejuar atë të marrë përfitime financiare ose përfitime të tjera materiale nga Putin dhe qeveria e Rusisë”.

BARCLAYS PEZULLON LLOGARINË
Llogaritë e bllokuara. Kartat e kreditit të ngrira. Banka Barclays mbyll rubinetat e linjës financiare si pasojë e sanksioneve të rënda të vendosura nga qeveria britanike ndaj Chelseat dhe pronarit aktual të saj, Roman Abramovich, për shkak të afërsisë me Vladimir Putin.