Një tjetër hap fals i Barcelonës, përfaqësoi vetëm pikën që derdhi gotën. Pak pas mesnate, në përfundim të ndeshjes me Rayo Vallecanon, drejtuesit blaugrana shpallën fundin e aventurës së Ronald Koeman në pankinën katalanase. Skuadra tashmë i është besuar Sergi Barjuan, trajnerit të ekipit B, i cili do të jetë provizor për ndeshjet kundër Alaves, Dinamo Kiev dhe Celta. Më në fund do të jetë radha e Xavit, legjendës së klubit, i cili është zgjedhur si tekniku i të ardhmes.

Koeman largohet 14 muaj pas ardhjes së tij, duke e lënë Barcelonën në një pozicion delikat në renditje. Tani sfida kalon në një tjetër mit klubi me të cilin Laporta shpreson të përsërisë goditjen e suksesshme të bërë dikur me Pep Guardiolën. Xavi duhet ende të lirohet nga klubi katariot i Al Saad. Ish-flamuri i Barçës tashmë ka pranuar të marrë drejtimin e skuadrës, edhe pse ndërprerja e kontratës me klubin aktual do të kërkojë një negocim të vështirë. Gjithsesi, drejtuesit blaugrana janë të bindur se do ta teserojnë Xavin që në nëntor.