Banka Qendrore Europiane (BQE) ka rritur normat e interesit me gjysmë pikë përqindjeje. Kjo është rritja e saj e parë për më shumë se një dekadë. Banka u zotua të parandalojë rritjen e kostove të huamarrjes, pas frikës për një krize borxhi të eurozonës, që u shtua pas trazirave politike në Itali.

BQE tha në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së këshillit të saj drejtues në Frankfurt se “gjykoi se ishte e përshtatshme të ndërmerrte një hap të parë më të madh në rrugën e normalizimit të normës së politikës, sesa sinjalizoi në mbledhjen e mëparshme” për shkak të inflacionit më të lartë se sa pritej dhe mbështetjes të skemës së re të blerjes së obligacioneve. Banka qendrore kishte thënë muajin e kaluar se do të rriste normat me një çerek pikë.

Sipas njoftimit: “Këshilli drejtues vendosi të rrisë tre normat kryesore të interesit të BQE-së me 50 pikë bazë. Rrjedhimisht, norma e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit dhe normat e interesit për kredinë marxhinale dhe mekanizimin e depozitave do të rriten përkatësisht në 0.50%, 0.75% dhe 0.00%, me efekt nga 27 korriku 2022.

Euro fitoi më shumë se 0.6 për qind kundrejt dollarit duke u rritur në mbi 1.02 dollarë. Shqetësimet për rritjen globale dhe inflacionin bënë që monedha europiane të shkonte drejt barazimit me dollarin javën e kaluar.

Rendimenti i Bund-it 10-vjeçar të Gjermanisë, një tregues për kostot e huamarrjes në të gjithë zonën euro, u rrit ndjeshëm pas njoftimit, duke u zgjeruar me 0.1 pikë përqindjeje. Rritja e normës dhe shpërbërja e koalicionit të unitetit kombëtar të Mario Draghit bënë që të enjten herët yield-i i obligacionit 10-vjeçar të Italisë të rritej me 0.24 pikë përqindjeje, duke arritur në 3.6 për qind.

Këshilli drejtues i BQE tha se do të “mbronte transmetimin e qetë të qëndrimit të politikës monetare” në kuadrin e një programi të ri të krijuar për tu marrë me çdo rritje të yield-eve të obligacioneve të vendeve individuale përtej nivelit të justifikuar nga bazat ekonomike.

Christine Lagarde, presidente e BQE-së, tha se madhësia e blerjeve të obligacioneve sipas programit nuk ishte “e kufizuar ex-ante” dhe se do të aktivizohej “për të kundërshtuar dinamikat e pajustifikuara të çrregullta që përbëjnë një kërcënim serioz për transmetimin e politikës monetare në të gjithë zonën e euros”.

Banka qendrore tha se normat do të rriteshin më tej në mbledhjet e ardhshme, duke shtuar: “Barra e sotme e daljes nga normat negative të interesit i lejon këshillit drejtues të bëjë një kalim në përqasje për vendimet e normave të interesit pas çdo takimi”.

Kjo lëvizje është hapi i parë në ndryshimin e politikës monetare jashtëzakonisht të lehtë në BQE që zgjati për një dekadë, gjatë të cilës u mbajt një normë negative depozitash dhe u blenë pothuajse 5 trilion euro obligacione për të mbështetur ekonominë gjatë tetë viteve të fundit. Banka po shtrëngon politikën në një përpjekje për të frenuar inflacionin rekord të eurozonës, që arriti në 8.6 përqind në qershor.

Ekziston frika se normat e larta të interesit do ta çojnë eurozonën në recesion. Blloku tashmë është goditur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve pas pushtimit rus të Ukrainës, një ngadalësim në aktivitetin e biznesit dhe një rënie në besimin e konsumatorit në nivele rekord./ Monitor

https://www.monitor.al/banka-qendrore-europiane-rrit-normat-e-interesit-per-here-te-pare-ne-me-shume-se-nje-dekade/