Banka Botërore në raportin e saj të fundit të qershorit të perspektivës ekonomike globale ka rishikuar me ulje pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë si për vitin 2021 ashtu dhe për vitin 2022. Në vitin 2021, ekonomia vendase pritet të rritet me 4.4%, me ulje prej 0.7 pikë përqindje nga vlerësimi i muajit janar.

Për vitin 2020, vlerësimi është rishikuar gjithashtu me një ulje me 0.7 pikë përqindje, duke e zbritur në 3.7%. Po e njëjta pritshmëri është edhe për vitin 2023, në 3.7%. Në kahun tjetër, rënia ekonomike në vitin 2020 vlerësohet në -3.3%, shumë më e ulët sesa pritshmëria fillestare e bankës prej -7.5%. Rënia më e ulët se parashikimi në 2020-n është dhe një nga arsyet e rishikimit të vlerësimit në 2021 dhe 2022.

Nga gjithë vendet e Europës Qendrore, pandeminë e kanë kaluar me më pak pasoja Turqia, që pa një rritje prej 1.8%, Serbia, me një tkurrje minimale prej -1%, Polonia (-2.7%0 dhe më pas Shqipëria (-3.3%). Goditjen më të fortë e pësuan Mali i Zi (-15.2%) dhe Kroacia (-8%), dy vende me varësi të lartë nga turizmi dhe që nuk i hapën dyert në verën e 2020-s.

Banka Botërore vlerëson në raport se ekonomitë me varësi të lartë nga turizmi, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi do të vazhdojnë të dëmtohen nga kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare. Ndërkohë, në afatin e mesëm, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut do të nxiten nga përshpejtimi i reformave strukturore në përgatitjen për anëtarësimin në BE, nëse negociatat nuk do të vijojnë të shtyhen më tej.

Ekonomia globale 

Sipas raportit, ekonomia botërore po përjeton një rimëkëmbje jashtëzakonisht të fortë, por shumë të pabarabartë. Rritja globale vlerësohet të arrijë 5.6 për qind në 2021 – ritmi i saj më i fortë i pas recesionit në 80 vjet – pjesërisht i mbështetur nga aksesi i qëndrueshëm por shumë i pabarabartë i vaksinave. Rritja është përqendruar në disa ekonomi të mëdha, me pjesën më të madhe të tregjeve në zhvillim, ndërsa ekonomitë në zhvillim (EMDE) mbeten prapa: ndërsa rreth 90 për qind e ekonomive të përparuara pritet të rimarrin nivelet e tyre të para të pandemisë deri në 2022, vetëm rreth një e treta e EMDE pritet ta bëjnë këtë.

Në vendet me të ardhura të ulëta, efektet e pandemisë po zhbëjnë përmirësimet e mëparshme në uljen e varfërisë dhe duke komplikuar pasigurinë ushqimore dhe sfida të tjera afatgjata. Perspektiva globale mbetet shumë e pasigurt, teksa ecuria e pandemisë ka ende rreziqe të mëdha dhe ngarkesat e mëdha të borxhit mund të rrisin stresin financiar. Kontrolli i pandemisë në nivelin global do të kërkojë shpërndarje më të drejtë të vaksinave, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta./Monitor