timthumb (2)_3
Ismail Morina, i njohur si Ballist Morina, do të qëndrojë në burg, ndërsa hetimet vijojnë. Këtë masë sigurie ka dhënë sot Gjykata e Tiranës. Ai u arrestua dy ditë më parë, pasi në automjetin e tij u gjet një pistoletë TT dhe 30 fishekë. Duke folur para trupit gjykues, Morina tha se nuk kërkonte mëshirë.

“Do doja të gjendesha para ndonjë gjyqtari serb e të mbroja interesin e vendit tim por tani jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten. Unë nuk kërkoj mëshirë, dua mirëkuptim nga ju, nëse do kem vendim pozitiv do ta nderoj atë deri në fund. Unë kam një familje që nuk e shoh prej dy vitesh, kam dy fëmijë për të rritur”­ ka thënë ai.

Avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të butë për klientin e tij, me pretendimin se nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe se armën e mbante prej frikës pas ndeshjes në Beograd. Morina rrezikon deri ne 15 vite burg.

Ndërkohë për tre djemtë e tjerë të arrestuar bashkë me Ballist Morinën, Gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.