Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, replikoi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha pas deklaratave të këtij të fundit në seancën plenare.

Ai tha se të dëgjosh Berishën duke ligjëruar për korrupsionin është njëlloj si djalli të flasë për biblën.

“Parafolësi është personi i vetëm në këtë sallë i shpallur non grata nga SHBA-të për korrupsion të nivelit të lartë dhe ta dëgjosh të bëjë moral antikorrupsion është njësoj sikur djalli të flasë për Biblën. Është njësoj sikur të dëgjosh djallin të flasë për besimin. Thirrja ime dhe një sugjerim miqësor për PD, mos e shndërroni PD-në në strehën e fundit dhe bunkerin e fundit komunist në Shqipëri. Sali Berisha është mbetja e fundit e komunizmit në Shqipëri, është mbetja e fundit e korrupsionit në këtë vend. Teksa nuk reaguat tek plehra dhe balta që hodhi Berisha ndaj qeverisë sonë, dëgjoni.
Sali Berisha e ka mbyllur me Shqipërinë dhe shqiptarët, kaq. Pastaj koha do tregojë se sa të drejtë kanë SHBA-të. Për ata që nuk e dinë, në sitin e DASH mund të shikosh krizën tënde, në cilën listë dhe me kë është Saliu përbri. Në Amerikën e Jugut, në Afrikë, në Rusi nëse doni dhe po qe në rajon, homologu i tij është Milorad Dodik. Ti Tritan më kupton mirë kur krahasoj Berishën dhe Dodik. Natyrshëm për t’u rikthyer tek çështja për të cilën flasim, tek akti normativ ne ua dhamë përgjigjen javën e kaluar dhe më vjen keq që znj. Tabaku duhet të kishte hequr dorë nga kërkesa. Si ta merrnim në konsideratë paketën tuaj të rezistencës, kur është paketa unike në botë që vlerën e ka më të ulët se sa ajo e qeverisë. Shqipëria ka miratuar paketën më të drejtpërdrejtë të ndihmës për ata që kanë nevojë”, deklaroi Balla.