Nesip Kaçi

Atdhetari i madh, luftëtari i pamposhtur dhe dëshmori i Luftës Naçionalçlirimtare Asim Mero, më 23 prill të këtij viti  mbush 77 vjet që është pushkatuar  barbarisht nga okupatorët  nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të  Ballit Kombëtar.

Po kush është Asim Mero, që na vjen në zemrat tona pas kaq vitesh?

Ai lindi në një familje atdhetare dhe të arsimuar në 1892 në lagjen Dunavat i dytë në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në Dunavat. Babai i tij Ymer Efendiu , burrë me autoritet në qytet, kish qënë i arsimuar në Stamboll, kishte lidhje të ngushta me Ago Topullin, babanë e Bajos dhe Çerçizit. Kur Abdyl Frashëri organizoi mbledhjen e dytë të Lidhjes  Kombetare të Prizrenit  në Ergjëri më 1880, Ymer Efendiu mori pjesë në atë Kuvend historik dhe u zgjodh anëtar i Kuvendit.

Në vitin 1908 Asimi u dërgua të vazhdonte shkollën e mesme “Zosimea” në Janinë. Pas mbarimit  të shkollës, në vitin 1911 kthehet në Gjirokastër. Kishte marrë një kulturë të mirë për kohën. Në vitet 1911- 1912 Asim Mero mori pjesë në çetat patriotike të armatosura që luftonin  kundër  andartëve  grekë.

Asimi u martua me Shahadetin (Adetin), një vajzë nga fisi Kaçi, që e kish shtëpinë pranë shtëpisë së tij në Dunavat. Me Adetin lindi shtatë fëmijë: Omerin, Astritin, Mërkurin, Agimin, Volterin, Verën dhe Neptonin.

Një  jetë në luftë

Qeveria greke, duke përfituar nga Lufta Ballkanike, pushtoi Gjirokastrën,  në një kohë që  Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit  më 17 dhjetor 1913 e përfshiu Gjirokastrën brenda shtetit shqiptar. Ushtria greke kreu veprime barbare në jug të Shqipërisë : djegie shtëpish, vrasje, grabitje bagëtish, mijëra njerëz emigruan në ullishtet e Vlorës. Grupet e bandave të Zografos krijuan terror në rrugët e Gjirokastrës. Me porosi të Komitetit Patriotik të Gjirokastrës në verën e vitit 1914, Asimi , 22 vjeçar, u caktua për të dërguar në Vlorë një mesazh për Qeverinë e Vlorës, për një rezistencë të përbashkët luftarake të popullit  të Gjirokastrës dhe  të Vlorës, kundër pushtuesit grek. U nis me këmbë  nga Gjirokastra. Rrugës në zonën e Kardhiqit u kap nga forcat greke, të cilat e dënuan me vdekje. Pas ndërhyrjes së parisë së Gjirokastrës lirohet nga burgu. Asim Meros këto sakrifica i kalitën  dhe i forcuan më shumë cilësitë e larta patriotike,  të lidhura përjetësisht  me luftën e popullit  të tij për çlirim nga pushtuesi i huaj.

Në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Gjirokastra dhe viset jugore të Shqipërisë ishin të pushtuara nga ushtria italiane, e cila më 16 tetor 1916  e çliron Gjirokastrën nga ushtria greke dhe nga ky moment merr fund edhe komedia e autonomisë vorio-epirote me Jorgji Zografon në krye. Në kohën kur kryeministri italian, Françesko Nitti kërkoi që Vlora me interlandin e saj t’i njihet Italisë dhe Shqipëria e Jugut t’i lihej Greqisë, populli i Gjirokastrës intensifikoi  luftën për të mbrojtur të drejtat kombëtare të kësaj krahine. Shoqëria  „Vllazëria“ ngriti në Gjirokastër një komision me 15 anëtarë për sensibilizimin e opinionit  qytetar, mes të cilëve ishte dhe Asim Mero. Populli i Gjirokastrës deklaroi se është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë morale e materiale që të mos bjerë nën thundrën e armikut. Asim Mero ishte aktivist i flaktë i qëndresës antiitaliane sikurse ishte edhe kundër pushtimit grek. Ai ishte agjitator dhe inisiator i disa aksioneve kundër ushtrisë italiane. Më 12 prill1920 tre ushtarë italianë  grisën flamurin shqiptar. Elementët patriotikë  dhe revolucionarë,  mes të cilëve edhe Asim Mero, organizuan në treg një përleshje mes trupave italiane, me thirrjet masive: “Rroftë Vlora shqiptare”. Të nesërmen autoritetet italiane  u detyruan të vendosin edhe flamurin shqiptar  në zyrat e tyre. Forcat patriotike të Gjirokastrës iu përgjigjën thirrjes së Kongresit të Lushnjës për të luftuar kundër pushtuesit italian. Në këto rrethana trupat italiane  më 25 prill1920, largohen nga Gjirokastra, në qytet futen trupat e qeverisë shqiptare. Në Gjirokastër u organizua një festë e madhe.

Më 11 maj 1920 xhandarmëria shqiptare  e shoqëruar me një pjesë të popullit me bandën muzikore  të Vatrës, ardhur nga SHBA-ja, u nis nga Gjirokastra për Tepelenë. Asim Mero shoqëronte Halim Xhelon dhe Osman Haxhinë në mitingun e Tepelenës. Ushtria italiane i qëlloi. Populli nuk u tremb por bashkë me ushtrinë shqiptare rrethoi Tepelenën. Filloi  një luftë e rreptë për çlirimin e Tepelenës.

Më 8 qershor 1920, nisen nga Gjirokastra dhe fshatrat për rreth për në Luftën e Vlorës 160 burra me Kapo Topullin- komandant  dhe Hasan Xhiku -nënkomandant. Komiteti,  mes të cilëve edhe Asim Mero, i cili organizoi simpatizantët dhe mbështetësit e Luftës së Vlorës për mbledhjen e ndihmave. U mblodhën më shumë se 80.000 lireta, fshatarët e Kolonjës dhanë 300 desh për luftëtarët, fshatarët e Zagories  mblodhën  25.000 lireta, duke i nisur në Komitetin e Mbrojtjes. Në Luftën e Vlorës luftuan edhe dunavatasit: Adem Kore, Arshi Lulo, Bardho Lani, Beso Nishani, Bilal Topulli, Dervish Mero, Elmaz Sinani, Fejzo Piso etj.

Një dëshmi tepër e rrallë

Një dëshmi tepër e rrallë për Asim Meron, këtë atdhetar të madh por të heshtur, na ka lënë  dëshmitari i Luftës legjendare të Vlorës, kronikani i gazetës  „Drita“ të Gjirokastrës, Gani Iljaz Abazi, në letrën dërguar Thoma Papapanos, më 23 gusht 1924: „ I shtrënjti Basho Thoma ! Po të dërgoj abetaret dhe këndimet  që më dha z. Ibrahim Shyti. Kujtimet për ty dhe kohët që ishit në Vlorë, i kemi të gjalla e shpesh fjalosemi me miqtë tanë, z. Peço e z. Ibrahim, që të çojnë të fala nga zemra. Shkuan dy mote e nuk kam haber nga miku im i luftës së Vlorës, z. Asim Mero, që jeshmë në ballinat e luftës me z. Veli (Hashorva) në Bestrovë, Llakatund  Sherishtë e Qafa e Ullinjve. Nuk e di si e ka plagën, kur u lavos (plagos) në ballinën e Bestrovës. Për këtë më ka pyetur edhe dr. Ali Mihali, që e mjekoi në spitalin e Kotës. Veç artikllave  për fletoren „Drita“, ne çonim edhe për gazetën „Kuvendi“ dhe zhurnalet e Evropit. Një kartë prej tij do të më gëzonte shumë. Me nder e miqësi, Gani Iliazi „.

Ky informacion, ngarkuar plot mall e nostalgji për shokun e ballinave në Luftën e Vlorës, na dëshmon jo vetëm për praninë e Asim Meros në vijën e parë të frontit  të luftës, por edhe për plagosjen e tij, e cila edhe pas dy  vjetësh, i merakos miqtë e tij të barrikadave  të luftës. Ky dokument na dëshmon se për lirinë dhe tërësinë territoriale të vendit të tij, Asim Mero dha gjak nga gjaku i tij.

Nga gazeta „Omonia“ merret vesh se Asim Mero bënte pjesë në Partinë Popullore (Demokratike) dhe ishte anëtar i kryesisë së saj, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së Shoqërisë  „Opinga“, ku bënin pjesë shumica e banorëve të lagjes Dunavat, duke kënduar dhe këngën :“Ura, ura,ura,“Opinga „ përmbi ta“. Opinga“ më vonë u quajt  shoqëria „Shpresa“. Në shërbim të këtij misioni e vuri veten Asim Mero gjatë gjithë jetës së tij.

Papritur situata politike në Shqipëri pati ndryshime të paparashikuara.  Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, ish anëtar i Partisë Popullore  bëhet mbështetës i forcave çifligare, ndalon mitingjet, përdor xhandarmërinë dhe policinë për të  eliminuar kundërshtarët. Masat antidemokratike dhe shtypëse çuan në ashpërsimin e kontrdiktave, çka e detyruan Nolin të kalojë në opozitë. Në shtator 1922, opozita me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe Avni Rustemin, që u larguan nga Partia Popullore, deklarohen hapur kundër qeverisë. Në këtë vijë politike kaloi edhe Asim Mero, së bashku me Kasëm Bozgon, Refik Budon, Kiço Koçin, të cilët e braktisën Partinë Popullore dhe u bënë aktivistë të partisë së Fan Nolit. Si element antiqeveritar ishte ekspozuar edhe Asim Mero, i cili aspironte fitoren e grupit parlamentar të Fan Nolit, që do ta çlironte masën e popullit nga shtypja dhe obskurantizmi  i klasës feodale. Maliq Hajro nga Gjirokastra, në librin „Revoluçioni i qershorit 1924 në kujtimet e bashkëkohësve“ shkruan :“Ndër aktivistët e rrymës demokratike në Gjirokastër ishte edhe Veli Hashorva. Ky shquhej për propagandën demokratike me gazetën e tij. Aktivistë të tjerë demokratë ishin Qazo Puto me detyrë sekretar i Prefekturës, të cilin më vonë Myfit Libohova do ta internonte në Krujë, Haxhi Shapllo, dhe Asim Mero.

Vetëm në lagjen Dunavat i Dytë të gjitha votat u dhanë unanimisht  për grupin e deputetëve demokratë. Udhëheqësi i forcave demokratike në këtë fushatë, ishte Asim Mero, i cili mbështeti programin e Fan Nolit, si program në të mirën e masave popullore. Për ta shkallëzuar kundërshtinë, populli i Gjirokastrës organizoi protestën telegrafike të firmosur nga 150 qytetarë dërguar kryetarit të qeverisë, ministrit të brendshëm, ministrit të financave për vështirësitë e bukës. Ndër organizatorët e kësaj proteste ishte edhe Asim Mero.

Veçanërisht e ashpër ka qënë lufta e patriotëve gjirokastritë, kundër Myfit Libohovës, të cilët vendosën të deklarojnë se bashkohemi me apelin kombëtar për dënimin e Myfit Libohovës, një nga faktorët principialë të ngjarjeve dhe gjakderdhjes së fundit. Nënshkruesit e kësaj deklarate ishin Halil Hoxha, Dhimo Papajani,  Shemsho Hajro, Mehmet Shkurta, Mehdi Baboçi, Andon Boshnjaku, Remzi Karalliu dhe Asim Mero.

Një zemërim i përgjithshëm shpërtheu në Gjirokastër kundër Zogut sidomos nga rinia, veçanërisht me vrasjen e Avni Rustemit nga klika e Ahmet Zogut. Vrasja mori një domethënie të theksuar politike, e cila pasoi me një manifestim proteste dhe një telegram proteste që populli i Gjirokastrës i dërgoi  Ministrisë së Brendshme. Midis  9 personave që kanë firmosur telegramin e protestës është edhe emri i Asim Meros. Ky zëmërim popullor përfundoi me fitoren e revolucionit  të qershorit të vitit 1924 duke sjellë në fuqi qeverinë me kryeministër Fan  Nolin.

Dy burgosjet e Asim Meros në regjimin e Zogut

Vetëm me përmbysje revolucionare  kulturohet populli  ynë – propagandonte Asim Mero, ai mbeti figura e krahut revolucionar të qytetit, ai aktivizohej  për problemet kryesore, sikundër ishte edhe zgjedhja e kryetarit të bashkisë. Kur Bajo Topulli më 1925 erdhi nga Turqia dhe populli i Gjirokastrës e zgjodhi kryetar bashkie, Asim Mero ishte në krye të iniciativës  për Bajon, duke  propaganduar  patriotizmin e veprës së tij. Qemal Karagjozi tregon : “Ne të rinjtë kur vinim nga jashtë, për çudi rrinim afër tre burrave të mençur e të fjalës në Gjirokastër, e këta ishin Asim Mero, Jonuz Topulli e Duro Tabaku.

Organizimet antizogiste  u shtrinë në planin kombëtar siç qe krijimi i “Organizatës së fshehtë” të Vlorës në vitin 1931, në të cilën bënin pjesë edhe antizogistë nga Gjirokastra. Në këtë organizatë antizogiste, Asim Meron dhe të tjerë gjirokastritë i futi Beso Nishani. “Organizata e fshehtë” e Vlorës u krijua nga element të pasur borgjezë, pronarë tokash dhe intelektualë  liberale, si dhe nga elementë patriotë  e përparimtarë. Ajo degjeneroi  për shkak të tradhëtisë së krerëve. Lëvizja e fshehtë e Vlorës u zbulua në gusht 1932 nga xhandarmëria zogiste, e cila arrestoi mbi 60 persona. Me grupin e gjirokastritëve ishte edhe Asim Mero. Pas arrestimit dërgohet në burgun e Tiranës. Gjyqi politik  dënoi me 101 vjet burgim : Vesim Kokalari, Asim Mero dhe Dhimitër Konomi. Në shkurt të vitit 1935, u fal një pjesë e të dënuarve të organizatës së Vlorës. Me këtë rast lirohet nga burgu edhe Asim Mero.

Botëkuptimi revolucionar dhe lidhjet e forta me popullin e çuan Asimin në kryengritjen e Fierit, e cila drejtohej kundër  regjimit monarkist të Ahmet Zogut. Asim Mero ishte i ndërgjegjshëm se për çështjen e popullit duhet të luftonte dhe të sakrifikonte. Ishte pikërisht ky ideal, që e rreshtoi Asimin në kryengritjen e forcave revolucionare të Fierit. Më 14 gusht kryengritësit, masa qytetare të Fierit dhe fshatarët e ardhur nga Mallakastra, nën drejtimin e elementëve antizogistë u mblodhën në manifestim të gjerë politik, ku qeveria zogiste u shpall e përmbysur. Kundër kryengritjes u dërguan forca të shumta, të cilat e shtypën barbarisht. Gjyqi i posaçëm midis dhjetra të burgosurve Asim Meron e dënoi me 15 vjet burgim. Pas dy vjet burgimi, në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, nga amnistia përfiton edhe Asim Mero, i cili lirohet nga burgu.

Familja Mero në Lëvizjen Antifashiste

Asim Mero dhe patriotët e tjerë gjirokastritë e pritën me indinjatë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Ato ditë të rënda pushtimi Asim Mero nuk u nda nga Jonuz Topulli, bashkë me Rahmi Kamberin e gjirokastritë të tjerë, të cilët punonin  për të ngritur popullin në luftë kundër pushtuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, ballistëve. Në dhjetorin e vitit 1941, Gogo Nushi solli në Gjirokastër thirrjen historike të formimit të PKSH-së. Thirrja ftonte popullin të rrëmbente armët për çlirimin e Shqipërisë. Populli i qytetit, nën drejtimin e Qarkorit të Partisë dhe forcave antifashiste, në mes tyre ishte dhe Asim Mero, organizonte demonstrata  dhe  protesta kundër pushtuesit, organizonte shpërndarjen e thirjeve, trakteve, komunikatave, si dhe kryente veprime luftarake të njësiteve guerile. Dunavati  ishte një terren i përshtatshëm për luftën ilegale. Nure Çiço, ish-liceiste dhe luftëtarë e orëve të para në Gjirokastër, ka folur me nostalgji për Adetin, nënën e Agim Meros, ose gruan e Asim Meros. Nurie Çiço tregon se disa herë kishte shpëtuar nga ndjekja e fashistëve e strehuar  pikërisht tek Adeti. Atje ndjehesha e sigurtë dhe shpesh gdhiheshim së bashku me Bulen(Naipi). Në mëngjez dilnim vonë nga shtëpia veç e veç, të shoqëruara nga Adeti, si për të bërë ndonjë  psonjë dhe ashtu heshturazi shkonim në shtëpi. Një natë zhurmat në lagje  nuk pushuan, Adeti ndjehej shumë e shqetësuar. Në mëngjes më veshi një fustan të vjetër mbi fustanin tim, më lidhi shami të zezë në kokë, nga ato që veshin gratë e moshuara e plakat gjirokastrite dhe më përcolli tek shyëpia e një kushëriri, për të mos rënë në sy shtëpia ime, piu një kafe dhe u largua, sikur kishte ardhur për gjitonllëk.

Në korrik 1942 KQ i PKSH dërgon në Gjirokastër Nako Spirun i cili punoi Rezolucionin e Konferencës së Jashtëzakonshme  të qershorit për forcimin e punës me organizatën e rinisë dhe krijimin e bazave ilegale dhe midis 16 bazave ilegale  në qytetin e Gjirokastrës përmendet edhe shtëpia e Asim Meros. Pas vrasjes së Muzafer Asqeriut, në mesin e tetorit 1942, në Shpellat e Mëdha u bë besëlidhja e dunavatasve, nga çdo shtëpi shkuan burra dhe djem të rritur. I deleguar ishte Tahir Kadare si drejtues i Çetës “Koto Hoxhi. Nga shtëpia e Asim Meros merrte pjese  Omer Mero, djali i madh i Asim Meros. Po kështu në Aktivin e Rinisë  që u mblodh në shtëpinë e Baskim Alites në Dunavat   në gusht 1942, nga familja e Asim Meros mori pjesë djali i madh i tij, Omer Mero. Në konspiracion të plotë  funksiononte në shtëpinë e Asim Meros Baza e Teknikës që i shërbente Luftës Nacionalçlirimtare,,  e cila qendroi deri në atë kohë që u përqëndrua në shtëpinë e Meto Bijos në Manalat, të cilën e vinin në përdorim Pertef Xhiku dhe Reis Çani.

Ndërkohë familja Mero ishte kthyer një nga bazat më të rëndësishme të luftës antifashiste në lagjen Dunavat.  Agim Mero, në kujtimet e veta, do të shkruante: “ Në shtëpinë tonë filluan të hynin e dilnin vajza e djem të rinj nga familje të njohura gjirokastrite. Më shpesh nga të tjerët vinte Nurie Çiço, Bule Naipi, Shemsi Totozani e më rrallë Bedri Spahiu, Munir  Karagjozi, Flamur e Tore Nishani, Violeta e Halil Alite. Zakonisht rrinin veç në odanë tonë të madhe. Adeti u çonte ndonjëherë çaj, ose ndonjë gjë për t’u ngrohur, e kur kthehej në  dimërore  tek ne, thoshte: “Japin e marrin dhe këta, po të shohim çdo të nxjerrin”.Duke folur gjithënjë për të ardhmen, më dukej se vetë  ata kërkonin diçka të panjohur. Fshehtësia me të çilën vinin në shtëpinë tonë këta djem e vajza, porosia që na jepte nëna, Adeti, ne të vegjëlve se mos i thoshim njeriu, se kush erdhi e kush nuk erdhi, ma shtonin më shumë kurreshtjen për të mësuar se çpo ndodhte. Më pas mësova se të gjithë këta kishin një emër të përbashkët: ilegalë. Mbaj mend se nëna ime, Adeti, kishte merak e shqetësohej për ata, veçanërisht për vajzat. Kur bisedonte me ndonjë të afërm e dëgjoja që thoshte : ‘Mirë djemtë, po këto ditëshkurtëra ç’duan ? Keqardhja për  to e bënte Adetin më të dashur e më të dhimbsur se ç’ishte. Ajo deri sa vdiq, më 1982, i kujtonte me dashuri e kënaqësi të veçantë, e herë pas here na pyeste: “E keni parë gjë Nuren, ç’bëhet ? Po Toren? Po Violetën, që i fekste siri (syri) binadalës. Mbi të gjitha ajo nuk harronte Bule Naipin, të cilën disa ditë para se ta arrestonin e përcolli deri te porta me një copë bukë e djathë e, duke e përqafuar i tha: “Bule të keqen, ki mendjen e ruaj kokën, se janë kohë të liga”.

Asim Mero në Këshillin  Antifashist  Nacionalçlirimtar

Për veprimtarinë revolucionare, ngritjen kulturore, fjalën e mënçur dhe vlerat e larta të karakterit, në djetor 1942 Asim Mero u zgjodh kryetar i Këshillit  Antifashist Nacionalçlirimtar  të lagjes Dunavat i II. Kjo bëri që Asim Mero të nxirrte në çeta për lëvizjen naçionalçlirimtare , jo vetëm djem nga Dunavati, por nga e tërë Gjirokastra. Ballistët  provokonin terror në qytet. Në Libohovë,  në verën e vitit 1943, organizohet masakra e Nexho Bejlerit, ku u pushkatuan  dhjetë veta të pafajshëm. Në këtë kohë Asim Mero ishte një intelektual i brumosur me idetë antifashiste, por edhe ilegal i sprovuar, i cili si llogaritar i bashkisë, kryente detyra të Frontit  Antifashist Nacionalçlirimtar.  Asimin dy herë e kishte burgosur  qeveria e Zogut. Qyteti e dinte mirë qëndrimin antizogist  të Asim Meros. Këtë e dinin edhe spiunët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit dhe armiqtë nuk do t’ia falnin, do ta burgosnin përsëri dhe ja Asimi arrestohet nga pushteti kuisling  bashkë me 41 intelektualë  gjirokastritë.

Vrasja e Asim Meros nga ballistët

Ballistët  e kishin burgosur Asim Meron qysh në fillim të vitit 1944. Nuk e dimë datën ekzakt  por nga kujtimet e Mërkur Meros, (djali i tij i tretë), mësojmë se kur ai (Mërkuri) u arrestua në mars, Asimi ishte i burgosur. Më 15 prill 1944 në burgun e Kalasë ndodheshin 84 burra dhe gra nga qyteti i Gjirokastrës. Nga familja Mero ishin Asimi dhe Mërkuri. Më 23 prill 1944 ndodhi ngjarja  e tmerrshme tepër dëshpëruese :  komandanti i Ballit Ajdin Mataj vetë i shtatë, ekzekutuan  katër burra të burgosur : Asim Mero, Reiz Selimi, Laze Selimi dhe Reshat Sufati. Të katër viktimat ishin vrarë nga ballisti  A.M.

Masakra e 23 prillit u organizua për të detyruar  popullin e Gjirokastrës të largohej nga përkrahja që i jepte Lëvizjes Naçionalçlirimtare dhe Partizanëve.  Zoti Fitim Çaushi, autori i librit për Asim Meron, si konkluzion shkruan se Asim Meron, Reiz Selimin, Laze Selimin dhe Reshat Sufatin i vrau okupatori nazist  sëbashku me qeverinë kuislinge dhe Ballin Kombëtar, me thikat e Ajdin Mataj, Ruhi Runës, Servet Beqos, Alem Roshit dhe Bahri Samundës.

Në moshën 52 vjeçare mbaroi jeta e antifashistit  dhe intelektualit  sypatrembur,  Asim Mero, i cili në ato kohë të rënda të pushtimit  nazifashist  iu përkushtua lirisë së popullit dhe pavarësisë së vendit. Pas çlirimit Asim Mero shpallet: “Dëshmor i Atdheut”. Ai mbeti simboli i përkushtimit ndaj atdheut dhe lirisë. Emri i tij në këngë trimash do rrojë në shekuj.