Presidenti i vendit ka reaguar pas publikimit të artikullit nga gazeta prestigjoze franceze “Le Figaro” në lidhje me trashgiminë komuniste në vendin tonë, duke u mbështetur tek skandali i përdorimit të patronazhistëve për zgjedhje që u zbulua nga Lapsi.al.

Lexo më tej: Le Figaro për skandalin e patronazhistëve: PS fitoi me metodat e sigurimit

Kreu i shtetit ka thënë se skandali i vjedhjes së të dhënave personale të rreth 910 mijë qytetarëve të Tiranës meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm. Meta po ashtu ka thënë se çdo përdorim i këtyre të dhënave, qoftë dhe për të furnizuar baza të tjera të dhënash, që krijohen nga një parti politike për qëllime të saj, është një cenim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve.

“Në datat 12 prill 2021, 19 prill 2021 dhe 20 prill 2021 u kam kërkuar zyrtarisht me shkresë dhe publikisht SPAK dhe Prokurorisë të zbardhin plotësisht të vërtetën, autorët dhe urdhëruesit e këtij skandali, që përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elementë të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës (neni 248 i Kodit Penal) i konsumuar nga funksionarët, që kanë për detyrë të administrojnë dhe mbrojnë këto të dhëna, deri te “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a, i Kodit Penal… Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit”,  shkruan Meta.