Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë një përditësim të situarës nga moti i keq në qarkun e Shkodrës. Sipas autoriteteve, pas intensitetit të lartë të reshjeve të shiut dhe prurjeve të jashtëzakonshme të përrenjve, situata në territor paraqitet më e qetë në këto momente.
* Problematicat kryesore janë evidentuar në njësinë administrative Gur i Zi (fshatrat Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe në njësinë administrative Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush).
* Është konstatuar prezencë uji në rreth 25–30 banesa në njësinë Bërdicë dhe 10–15 banesa në Gur i Zi.
* Të gjitha strukturat vendore (Emergjencat Civile, NSHPP, IMT, Policia Bashkiake, MNZ dhe strukturat e tjera mbështetëse) janë angazhuar me burime njerëzore dhe mjete logjistike për zhbllokimin e nyjeve, pastrimin e kanaleve dhe inerteve, si dhe për ndihmë ndaj banorëve.
* Janë përdorur 3 eskavatorë, 3 fadroma, 2 kamionë, 3 kamionçina, pompa thithëse dhe mjete pick-up për normalizimin e situatës.
* Tokat bujqësore janë përmbytur në njësinë Gur i Zi dhe në zonën e Nënshkodrës (Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit) në masën rreth 70%.
* Theksohet se prurjet e ujit kanë prekur zona që nuk janë përfshirë as gjatë përmbytjeve të vitit 2010.
* Nuk ka persona të evakuuar deri në këto momente.
* Ka mungesë energjie elektrike në pjesë të Bardhajve dhe Rrencit, për shkak të djegies së një transformatori.
* Situata është në monitorim të vazhdueshëm, pasi gjatë natës parashikohet vazhdim i reshjeve me intensitet deri në mesnatë.
Bashkia Vau Dejës :
* Për shkak të reshjeve të dendura, situata në territorin e bashkisë është përkeqësuar ndjeshëm.
* Dalja nga shtrati e përroit Glina ka përmbytur rreth 100 banesa dhe disa hektarë tokë bujqësore.
Ne lidhje me perroin e Glines eshte e domosdoshme kryerja e investimeve rehabilituese per te shmangur pasojat e permbytjeve.
* Strukturat operative të bashkisë janë në gatishmëri të plotë dhe kanë ndjekur situatën në terren që prej orëve të para të mëngjesit.
* Janë raportuar rrëshqitje dherash dhe përmbytje infrastrukture në rrugët kryesore dhe dytësore të qytetit dhe fshatrave.
* Deri tani është evidentuar një rast evakuimi.
* Strukturat operative vijojnë punën në terren në mbështetje të banorëve.
Bashkia Puke :
* Vijojnë reshjet intensive të shiut.
* Raportohen probleme në rrugët rurale të njësive administrative Gjegjan, Rrapë, Qelëz dhe Qetret, me rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe vërshime ujërash.
* Furnizimi me energji elektrike është me ndërprerje të herëpashershme.
* Situata është nën monitorim të vazhdueshëm.
Bashkia Fushë Arrëz :
* Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë.
* Ka prezencë të konsiderueshme ujërash në rrugë dhe rrëshqitje dherash e rënie gurësh në rrugët auto-rurale të njësive administrative të bashkisë.
* Furnizimi me energji elektrike ka pasur shkëputje periodike në disa fshatra të njësive Qafë-Mali, Iballë, Blerim dhe Fierzë.
* Deri tani nuk raportohen probleme të tjera nga Emergjencat Civile.
Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë :
* Sasia e reshjeve në 24 orët e fundit në Qarkun Shkodër ka kaluar 200 mm, me reshje që vijojnë me intensitet të lartë.
* Veprat e mbrojtjes nga përmbytjet (argjinaturat, digat dhe diga e rezervuarit Shtoder) nuk paraqesin probleme.
* Kanalet kryesore të kullimit funksionojnë, por prurjet janë jashtë kapaciteteve përcjellëse.
* Si pasojë, në disa zona të banuara në Vau Dejës, Bushat, Melgushë dhe Gur i Zi, uji ka dalë jashtë seksioneve të kanaleve.
* Nivelet e lumenjve Buna, Drin dhe Kir aktualisht janë poshtë kuotave të rrezikimit.
Reshjet e shiut vijojnë në të gjithë territorin e qarkut me intensitet ulët deri mesatar.
Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe institucionet mbështetëse janë në gatishmëri të plotë, duke ndjekur situatën në terren dhe ndërhyrë aty ku është e nevojshme.