Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së kanë rënë dakord me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Ky dakordësim është arritur në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel. 

Ky vendim nga diplomatët konsiderohet, si vendim pozitiv për Kosovën. Edhe pse data e hyrjes në fuqi, sipas kompromisit të ri, do të shtyhet për një muaj më shumë sesa ishe thënë më parë, dhe do të nisë më 1 janar të vitit 2024. Kjo është bërë për t’i kënaqur kërkesat e Spanjës e cila nuk ka dashur që hyrja në fuqi të ndodhë në kohën kur Spanja do ta ketë Presidencën e radhës së BE-së.

Pra, në vend të 1 dhjetorit 2023, qytetarët e Kosovës, sipas këtij kompromisi, do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së dhe vendet tjera të zonës Schengen prej datës 1 janar të viti 2024.

Para një jave Spanja, Sllovakia dhe Suedia kishin thyer procedurën e heshtur në Këshillin e BE-së. Ato kishin penguar kalimin e propozimit i cili si datë të hyrjes në fuqi të liberalizimit kishte përmendur 1 dhjetorin 2023. Ose thënë ndryshe hyrjen në fuqi së bashku me sistemin e ETIAS-it. Spanja kishte vërejtje në këtë datë. Sllovakia ankohej për formulimin e disa fjalëve. Ndërsa Suedia kërkonte më shumë kohë për konsultime në Parlament.

Por, Presidenca Çeke ka bërë një angazhim të jashtëzakonshëm dhe në konsultime me vendet që kishin vërejtje ka arritur kompromis. Për këtë janë pajtuar sot vendet anëtare, në takimin e Këshilltarëve për viza. Ky tekst i propozimit do të kalojë si vendim të mërkurën. Me këtë vendim, do t’i jepet mandat Presidencës Çeke që të nisë të ashtuquajturin “Trialog” me Parlamentin Evropian dhe Komisionit për ta formalizuar vendimin.

Por liberalizimi i vizave për Kosovën, ndonëse i vonuar dhe me një datë të hyrjes në fuqi pas më shumë se një viti, nga diplomatët në Bruksel konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha gjatë këtij viti, në raportet e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimore.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo zonë përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë vetëm deri në 90 ditë. Aty nuk përfshihet leje pune apo të drejtën për të jetuar në ndonjërin nga shtetet, pjesë të zonës Schengen.

Shtetet në të cilat mund të udhëtohet pa viza janë ato të Bashkimit Evropian (Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi). Pastaj në Islandë, Norvegji, Zvicër e Lihteshtajn. Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen.

Nga momenti që do të hiqet regjimi i vizave për Kosovën, të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike. Megjithatë, qytetarëve u rekomandohet që gjatë udhëtimit të kenë me vete dokumentet që dëshmojnë për gjendjen e tyre financiare, vendin se ku do të qëndrojnë, arsyet e vizitës dhe sigurimin shëndetësor. Kjo për shkak se policia kufitare e shtetit Schengen ka të drejtën t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast të dyshimit se do të mund të keqpërdorej liberalizimi i vizave.