Artan-Bajraktari-1

Shërbimi i Kontrolli të Brendshëm ka prangosur mbrëmë rreth mesnatës shefin e Interpol Tirana, Artan Bajraktarin dhe shefen e sektorit të kësaj zyre, Loreta Alla. Arrestimi i tyre ka lidhje me akuzat ndaj Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit, të kryer më 5 shkurt të vitit 1999 në Bruksel. Lapsi.al mësoi se Bajraktari dhe Alla kanë fshehur kërkesat e Interpolit belg për Mark Frrokun, duke mos ua përcjellë organeve përkatëse, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, ashtu siç janë të detyruar në të tilla raste. Zyra e Interpol Tirana mësohet se më 8 janar të këtij viti është vënë në dijeni të faktit se Mark Frroku ishte dënuar në mungesë me 10 vjet burg për vrasjen e vitti 1999 në Gare du Midi. Por ajo këtë informacion nuk e ka përcjellë tek institucionet përkatëse. Pasi nuk kanë parë asnjë reagim nga Interpol Tirana, belgët ia kanë përcjellë sërish informacionin më 23 janar. Por në asnjërin prej këtyre rasteve shkresat nuk kanë dalë jashtë kësaj zyre. Për të dy rastet SHKB ka ngarkuar me përgjegjësi shefin e zyrës, Artan Bajraktarin. Ndërsa arrestimi i Loreta Allës mësohet se ka lidhje me rastin e komisarit të ndjerë Dritan Lamaj, i cili i qe drejtuar me shkresë interpol Tiranës për të marrë informacione lidhur me vrasjet e vëllezërve Frroku në Bruksel. Interpol Tirana në fakt ia përcolli informacionin MInistrisë së Drejtësisë vetëm pasi Mark Frroku u arrestua për çështjen Doshi. Vetë Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ishte vënë në dijeni më 27 mars nga Ministria e Drejtësisë. Shkresat nisën të dalin nga zyra e Interpolit vetëm pasi media publikoi fakte se Frroku rezultonte i dënuar në Belgjikë. Burime të MInistrisë së Brendshme thonë se SHKB po heton prej 2 muajsh për këtë rast. Por nga kjo ministri nuk ka informacione zyrtare. Artan Bajraktari u emërua shef i kësaj zyre në tetor të vitit 2013, pak javë pas nisjes nga puna të qeverisë socialiste. Ai u largua për disa vite nga policia dhe ka punuar në njësinë bashkiake nr 9 në kryeqytet dhe disa detyra të tjera në sipërmarrje private. Në vitin 2013 ai ishte komisioner i PS në zgjedhjet e përgjithshme.

Megjithëse është shumë shpejt për të folur arrestimet e sotme përbëjnë vetëm majën e ajsbergut të një fshehje më të madhe. Organet e policisë dhe krerët e lartë të shtetit ashtu sikurse kryeprokurori Llalla e kanë ditur prej kohësh se deputeti Mark Frroku kërkohej në Belgjikë për vrasje. Kjo cështje ishte një e fshehtë publike. Dhe pmvarësisht faktit nëse dy punonjësit i kanë fshehur apo jo përgjigjet, kjo nuk e ul përgjegjësinë e tyre.

Për aferën e Mark Frrokut me drejtësinë belge nuk mund të mbajnë përgjegjësi vetëm dy punonjës interpoli. Llogjika ta do që ajo shkon lart shumë më lart.  Froku nuk u mbrojt se u mbajt e fshehtë një shkresë, por ai u mbrojt me vullnet politik se ishte deputet i kësaj shumice dhe diskretitimi i tij ishte njëkohësisht edhe i saji. Por për të gjitha këto ka kohë të dalë e vërteta. Ajo tani është në duar të dy punonjësve të interpol Tirana. A do ta mbajnë atë mbi vete përgjegjësinë e këtij skandali, apo do të tregojnë se kush i urdhëroi ta bënin këtë, kjo pritet të shihet. Ajo është në dorë të tyre, por edhe të hetimit.