Ballisti me pistoleta
Ismail Morina, i njohur me emrin Ballist Morina, pasi bën pjesë në grupin e tifozëve “Ballistat”, u ndalua pak pas mesnate në rrugën “Petro Nini Luarasi”, pranë Shkollës së Baletit, në Tiranë.

Ai ishte i shoqëruar nga 4 persona të tjerë kur dy patrulla policie i bënë shenjë të ndalojë.

Efektivët e policisë e kontrolluan dhe i gjetën në brez një pistoletë Zastava (në foto poshtë), me 6 fishekë.makina_0
Menjëherë i kanë vënë prangat atij dhe 3 personave të tjerë që e shoqëronin në makinën Range Rover me targa AA 874 KY (foto).
Patrullat e policisë ka ushtruar kontroll edhe në fuoristradën e tij ku ka gjetur një pistoletë TT me 30 fishekë. Në makinë u gjet edhe një gëzhojë që i përket njërës prej pistoletave me të cilën dyshohet të jetë qëlluar që në makinë.
Ismail Morina ka pranuar se armët janë të tijat. Në Komisariatin nr. 1 ai ka thënë se i mbante për vetëmbrojtje pasi ndihej i rrezikuar për shkak se ai konsiderohej si personi që shkaktoi trazirat në stadiumin Partizani të Beogradit, më 14 tetor 2014.

Ai kishte me vete edhe 36 bileta, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Burime të policisë thanë se personat që kanë emrat në këto bileta do të merren në pyetje për të dhënë sqarime.
Personat që gjendeshin me Ismail Morinën në makinë kanë thënë se nuk kishin lidhje me armët apo biletat.

Erion Bahushi , 22 vjeç lindur ne Erseke dhe banues ne Tirane; Denis Balla, 21 vjeç lindur dhe banues ne Tirane dhe Marin Rexha, 20 vjeç, lindur dhe banues ne Tiranë janë arrestuar për moskallëzim krimi. Ata dyshohet se kanë patur dijeni që Morina kishte armë në makinë dhe nuk kanë bërë kallëzim në polici.

Arsyet se përse Range Rover-i i Morinës u ndalua, nuk dihen. Burime të policisë thanë se Ismail Morina mbahej nën vëzhgim pasi dyshohej se mund të shkaktonte incidente gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi. Ditët e fundit Ballist Morina shkonte shpesh në Elbasan. Lapsi.al e fotografoi pak ditë më parë në një nga lokalet pranë stadiumit “Elbasan Arena” ku nesër do të luhet ndeshja Shqipëri – Serbi (foto më poshtë).