ardian_fullani_9276
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do të paraqitet sërish para gjykatës në fund të këtij muaji.

Pas hedhjes së shortit në gjykatën penale, Fullani është caktuar të paraqite në gjykatë më 29 shtator. Drejtues i trupit gjykues do të jetë gjyqtari Artan Gjermeni.

Ardian Fullani u arrestua në vjeshtën e vitit të kaluar dhe në Gjykatën e Shkallës së parë dhe atë të Apelit ai mori masën sigurisë arrest me burg.

Ndërkaq Gjykata e Lartë vërejti se veprimet apo mosveprimet e Adrian Fullanit, nuk rezultonin të kenë shkaktuar pasojën e pretenduar nga ana e organit të akuzës duke vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Akuza kishte kërkuar dënimin me burg të Fullanit pasi, sikurse argumentonte ajo, ka shpërdoruar detyrën duke mos propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni si dhe në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i BSH-së nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë.