Pas zgjedhjeve të fituara nga Lulzim Basha, ka dalë në një deklaratë për mediet grupimi ‘Për PD-në’. Mes anëtarëve të këtij grupimi, fjalën e mori edhe ish-ministri dhe një nga themeluesit e kësaj force politike, Arben Imami. Ai akuzoi kreun e PD-së Lulzim Bashën se i mban të fshehta listat e partisë sikur PD të ishte organizatë terroriste.

“Në zgjedhjet e 2017, Lulzim Basha ka marrë 25 mijë vota më tepër sesa tani. Arsyeja që ka marrë 25 mijë vota më pak këtë të diele është se në zgjedhje u paraqitën disa kandidatë dhe kjo tregon se në 2017 zgjedhjet ishin të montuara

E dyta, këto zgjedhje janë përtej njohjes dhe mos njohjes, përtej ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Kandidatët në këtë rast nuk kanë listat. Ne mund të gjykojmë një proces nëse është i ligjshme apo i paligjshme duke konfrontuar listat me pjesëmarrjen konkrete. Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat.

Unë i them zotit Basha, ti je kryetar i PD, një parti që është ngritur për çështjet e ligjit. Ti nuk je kryetar i një subjekti terrorist që mban lista të fshehta anëtarësia, listat e fshehtë i mbajnë vetëm organizatat terroriste. Në një vend demokratik si Shqipëria në një parti me tradita demokratike, nuk duhet të ketë listat të fshehta të anëtarësisë”, tha ndër të tjera Imami.

Sipas Imamit, Partia Demokratike tashmë nuk është një parti e bashkuar, pasi janë përjashtuar edhe ata që quhen anëtarë jo aktivë, por që sipas tij janë themeli i partisë.

“Zgjedhjet në parti bëhen për të pasur konkurrencë dhe për të parë përpara. PD nuk është me e bashkuar, vendosja në mënyrë të njëanshme e datës së zgjedhjeve, hile mashtruesish ordinerë nuk e bashkon partinë.

Heqja e 30 mijë anëtarëve nga lista, që janë pjesë e asaj që quhet anëtarësia jo aktive janë themeli i PD, që në këto vite nuk bashkohen me politikat e Lulzim Bashës. Në këto zgjedhje kjo pjesë e rëndësishme e PD edhe formalisht u përzu nga PD”, tha Imami.