Tottenham-Manchester United 0-3 i ka dhënë një përshpejtim të bujshëm merkatos së trajnerëve. Nga njëra anë Solskjaer ka fituar kohë dhe ka forcuar pozicionet e tij në pritje të sfidave me Atalantën dhe City, nga ana tjetër ka çuar në shkarkimin e Nuno Espirito Santo, i cili paguan tre humbjet në katër ndeshjet e fundit dhe vendin e tetë në Premier League. Spurs kanë zgjedhur Antonio Conten për ta zëvendësuar, me ish-teknikun zikaltër që do të arrijë në Londër me avion privat në orët e ardhshme.

Fabio Paratici tashmë prej disa kohësh ka bërë presion për trajnerin me të cilin ka punuar dhe ka fituar shumë te Juventus, e në orët e fundit ka pasur një kontakt të ri pas atij që kishte verën e kaluar, por këtë herë italiani është gati të pranojë ofertën. Conte dëshiron të kthehet në punë në fushë pas një periudhe pasiviteti, por për të pranuar ka kërkuar garancinë e një projekti të rëndësishëm tekniko-ekonomik: po flasim për një kontratë njëvjeçare e gjysmë me vlerë 15 milionë euro në sezon dhe për më tepër me garancinë e një merkato të rëndësishme në dimër me firmat e 3 apo 4 lojtarëve për të përforcuar skuadrën.

“Unë e di se sa shumë Nuno dhe stafi i tij stërvitor donin të ishin të suksesshëm dhe më vjen keq që duhej të merrnim këtë vendim. Nuno – komentoi CEO i Tottenham Fabio Paratici – është një zotëri i vërtetë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu. Ne dëshirojmë të falënderojmë atë dhe stafin e tij teknik dhe i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen”. Tani rikthimi i Conte në pankinë është cështje orësh: të martën trajneri nga Salento duhet të drejtojë seancën e parë stërvitore si trajneri i ri i Spurs.