Një hap larg Realit, më pas një prapaktheu i papritur dhe rinovimi marramendës me PSG-në për tre vitet e ardhshme. Kylian Mbappé tronditi botën e futbollit me firmën e tij dhe pak ditë pas qëndrimit zyrtar në Paris, u përpoq të shpjegonte se çfarë ndodhi. “Vitin e kaluar doja të largohesha – pranoi Mbappé në konferencën për shtyp – por gjërat ndryshojnë. Vendimin e mora javën e kaluar dhe para se të telefonoja Florentino Perez, të cilin për respekt e kontaktova personalisht”.

Shifrat dhe modalitetet e marrëveshjes së re kanë çoroditur disi operatorët e sektorit, mes të cilëve ka pasur edhe nga ata që hipotezuan diçka më shumë sesa rolin e lojtarit të thjeshtë për Mbappe, me fuqi vendimmarrëse mbi trajnerin, drejtuesit dhe shokët e skuadrës. “Unë nuk shkoj përtej rolit tim dhe jam pjesë e ekipit – u përgjigj Mbappe -. Më pëlqen të flas për futbollin, por do respektoj rolin tim. Ka një aspekt sentimental pas zgjedhjes sime. Historia ime këtu nuk ka mbaruar, mund të shkruajmë shumë faqe të tjera së bashku”.

“Vendimi u mor javën e kaluar. Nuk e thashë sepse klubi nuk donte, deshte ta mbanim sekret, të ishte një surprizë. Vendimin e mora para se të telefonoja Florentino Perez: kam shumë respekt për të dhe për Realin. Ata donin të më bënin të lumtur dhe unë i falënderoj për këtë dhe kështu doja t’i flisja personalisht për vendimin tim për respekt”.

Nga ana e tij, presidenti Nasser Al-Khelaifi bëri disa sqarime. “Paratë për Kylian nuk janë gjëja më e rëndësishme. Projekti sportiv është i pari. Ai nuk bëri kërkesa të veçanta – tha ai -. Ne thjesht mbajmë lojtarin më të mirë në botë në kampionatin tonë. Sot ndërtuam diçka shumë të fortë me të dhe familjen e tij”. Për shifrat e marrëveshjes së re: “Nuk i kemi zbuluar asnjëherë shifrat e kontratës së një lojtari dhe nuk do ta bëjmë. Pse ky investim? Sepse ai është lojtari më i mirë në botë”.