Mjaftoi një foto e Max Allegrit në krah të kreut të ri të zonës teknike të PSG-së, Luis Campos, për të shpërthyer hipotezat dhe fantazitë e merkatos. Trajneri i Juventus dhe drejtori i ri i parisienëve u fotografuan jashtë Hotel de Paris në Monte Carlo dhe imazhi bëri menjëherë xhiron e internetit. Parisienët janë ende në kërkim të një tekniku dhe hezitimi i Zidane nuk i lë të qetë drejtuesit e klubit, që pasi mbajtjen Mbappe kërkojnë një emër të rëndësishëm edhe për pankinën. Allegri, megjithatë, vështirë se mund të largohet nga Juventusi, edhe për shkak se ai është i lidhur me bardhezinjtë me një kontratë deri në vitin 2025.

Takimi sipas asaj që thuhet është bërë në rrethana të rastësishme dhe të paplanifikuara: Campos jeton në Monte Carlo, ndërsa Allegri shpesh kalon pushimet atje dhe të dy njihen prej kohësh. Kjo nuk mjafton për të larguar çdo dyshim për natyrën e takimit, veçanërisht duke marrë parasysh momentin e veçantë që po kalon PSG, me Pochettinon tani në fund të aventurës dhe Zizou ende të pavendosur për të ardhmen e tij, i tunduar të presë fundin e Kupës së Botës për t’u ulur në pankinën e kombëtares franceze. Pista më e nxehtë, për momentin, mbetet ajo që të çon te Christophe Galtier, tre herë trajneri më i mirë i Ligue 1 dhe aktualisht nën kontratë me Nice.