Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Juventusi është në turneun parasezonal, Max Allegri u dërgon një mesazh të qartë kundërshtarëve: “Ne kemi për detyrë të fitojmë titullin”. Konferenca e parë për shtyp jashtë kufijve të Italisë e trajnerit të Juventus është bërë kështu rasti për një deklaratë programore pa zbukurime e lojëra fjalësh: “Juventusi, si gjithmonë, niset për të arritur të gjitha objektivat, këtë verë erdhën lojtarë të rëndësishëm, disa me përvojë e të tjerë të rinj, për më tepër është viti i dytë kështu që tashmë nisemi nga një bazë e mirë. Pasi mbetëm pa trofe për një vit, për herë të parë në dhjetë vjet, ne kemi për detyrë të fitojmë titullin”.

Allegri e di se ka një grup më të fortë se ai i kaluari në duart e tij, ai e di që të ardhurit sjellin atë cilësi dhe përvojë të nevojshme për t’u rikthyer të ngrihen lart trofe: “Di Maria dhe Pogba janë të jashtëzakonshëm, pastaj kemi një djalë të ri si Gatti dhe të rinj të tjerë që duhet t’i vlerësoj. Jam shumë i lumtur me ardhjen e Bremer, një lojtar fizik me karakteristikat që kërkonim. Nuk ka shumë mbrojtës të atij niveli dhe klubi ka qenë shumë i aftë në zëvendësimin e shpejtë të De Ligt. Jam i kënaqur, por tani po fillojnë ndeshjet dhe ka mbetur vetëm një muaj nga fillimi i sezonit”.

Trajneri i Juventusit kaloi më pas te aktualiteti i afërt, te kundërshtarët e ndeshjes së parë që do të luhet natën mes së sotmes dhe të nesërmes (ora 5 shqiptare), Deportivo Guadalajara. “Është ndeshja e parë, kemi punuar mirë për 10 ditë, tani jam kurioz të shoh si do të sillemi. Nesër do të jetë një provë e mirë për ne, Chivas është një skuadër me vlerë të madhe edhe pse nuk po shkon mirë në kampionat. Ne e njohim mjaft mirë futbollin meksikan, ka lojtarë të mirë, Chivas është një ekip i organizuar, do të jetë e para nga tre ndeshjet që do të na duhen për ta përballuar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.