Enkelejd Alibeaj tha sot gjatë mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të PD-së se takimi ishte informues lidhur me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për zgjedhjen e presidentit të ri. Alibeaj tha se mbledhja ishte për të marrë mendimet e gjithsecilit dhe vendimi për procesin do të merret në një moment tjetër, pasi të jenë dëgjuar të gjithë.

“Kjo është një mbledhje informuese e kolegëve për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke synuar hapjen e debatit brenda grupit parlamentar të PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sot nuk kemi për të marrë asnjë vendim, sepse mbledhja është me natyrë informale për informimin tuaj për ecurinë e deri tanishme dhe shkëmbimin e mendimeve. Me disa prej kolegëve kam diskutuar edhe personalisht dhe i di mendimet e tyre, me intereson që vendimin për procesin ta marrim të gjithë bashkë, në një moment tjetër, pasi të kemi ezauruar fazën e marrjes së mendimit të secilit“, tha Alibeaj.

Ai shtoi se përpos përpjekjeve për të bashkuar grupin e PD-së, ka një përpjekje për ta ndarë.

“Ka një tentativë për të përçarë edhe Grupin Parlamentar, edhe pse gjate këtij muaji kemi berë përpjekje serioze për të bashkuar grupin. Nuk e kuptoj dot këtë sjellje dhe është një tjetër akt përçarës. Secili nga anëtaret e këtij grupi kane bere përpjekje për të mos lejuar përçarjen e partisë. Refuzoj me forcë çdo te tentativë për ndarjen e partisë, dhe me gjithçka kam në dorë do bëj çmos që kjo mos të ndodhë“, shtoi Alibeaj.