Dialogu Prishtinë-Beograd nuk ka sjellë rezultate. Takimi i mbajtur sot në Bruksel mes Presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Kurti është mbyllur me kundërshti të forta. E ndërsa Vuçiç u shpreh se Kurti është rikthyer në shekullin e 19-të, kryeministri i Kosovës tha pas takimit se presidenti serb refuzoi propozimin e tij për marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje” tha Kurti.

Propozimi i tij në çështjen e zotimit për të zhdukurit, Kurti tha se u pranua me butësi nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalia “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë.

Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.