Nga Albin Kurti

Zonja dhe zotërinj,
Politika për ne është angazhimi më i lartë dhe shprehja e sjelljes më publike e më të ndershme. Ajo është aftësia për të parashikuar kompleksitetin gjeopolitik rajonal dhe botëror, por edhe aftësia e projektimit kombëtar. Duhet t’i kthehemi në mënyrë të vazhdueshme përkufizimit të politikës si aktiviteti më publik, më patriotik dhe më i gjithanshëm i njeriut. Me sjelljen tonë politike ne mund të bëjmë në mënyrë të mbarë vlerësimin e inteligjencës dhe mirësinë e trashëgimisë, si një e tashme e cila merr përgjegjësi për të shkuarën e afërt dhe të largët.
Politika, me karakter publik, demokratik dhe universal nuk na lë të jetojmë një të ardhme që mohon arritjet e të shkuarës, dhe as që e redukton të tashmen në gjendje të shkuara, të afërta apo të largëta. Vetia publike e veprimtarisë sonë nuk duhet të na braktisë e nuk duhet të na lejojë të humbim udhën e integrimeve të drejta. Ajo duhet të mbajë gjallë direktivën e qartë: nuk duhet të ndërtojmë paqe të korruptuara, dhe as t’i lejojmë korrupsionit të funksionojë në paqe. Ne mendojmë e perceptojmë sipas këtyre direktivave dhe konstatojmë se nuk kemi gabuar.
Ne kemi ndjekur projektin më të natyrshëm që rezulton nga historia: vullnetin dhe dëshminë më rrënjësore të vullnetit – dëshmorin. Ne nuk kemi trima pushtimi, por dëshmorë çlirimi. Në ditët dhe javët që po kalojmë, ky mesazh është më i nevojshëm se kurrë. Cilido individ apo shtet që ndjek porosinë e dëshmorit çlirimtar nuk ia huq subjektivitetit të lirisë dhe as universalitetit të drejtësisë.
Ne synuam integritet territorial, jo për hir të mbylljes sonë por për hir të paqes së drejtë. Shumë shpejt aktualiteti na vërtetoi se qëndrimi ynë ishte i saktë dhe i drejtë. Ne synuam përgjatë viteve dialog me parime, dhe shumë shpejt aktualiteti kontinental po na vërteton se ngutia për dialog pa parime është e tillë që bëhet për pazare. Kombet nuk janë monedhë e as mall në duar të shteteve dhe përfaqësuesve të tyre të lartë, veç në mos po flasim për Serbi, Rusi e Bjellorusi.
Ne duam paqe afatgjatë, andaj dhe nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare. Një dialog i imponuar e pa parime është një konflikt i ardhshëm me pazare.
Të nderuar të pranishëm,
Datat na duhen, por për zhvillimin e brendshëm. Progresi njerëzor, shoqëror dhe ekonomik kërkon data, afate dhe shpejtësi. Së jashtmi kompleksiteti ka shumë faktorë e aktorë, andaj kërkon veprim të pjekur e maturi, kërkon kohë.
Së brendshmi na duhet sinqeritet dhe së jashtmi reciprocitet.
Së brendshmi është emergjent veprimi i unifikuar, së jashtmi veprimi strategjik dhe i koordinuar.
Së brendshmi na duhet uniteti dhe së jashtmi aleanca.
Së brendshmi duhet të shtojmë fuqinë shoqërore, së jashtmi subjektivitetin shtetëror. Ne e kemi deklaruar gjithnjë se jemi për subjektivitet shtetëror e jo për subjektivizëm pushteti. Vullnet dhe subjektivitet. Kjo është porosia e dëshmorëve çlirimtarë. Kjo është porosia e flijimit sublim të Jasharajve. Me vullnetin e tyre, ata na dëshmuan se vullneti e sjell subjektivitetin, se subjektiviteti e shpreh vullnetin. UÇK-ja e çliroi Kosovën. Në jemi të qartë për këtë pikë. Një komb e mban të çliruar vullneti, aleancat i ndërton subjektiviteti.

Këto ditë të planetit kur jemi dëshmitarë të pushtimit të Ukrainës na i sjellin edhe më të qartë rëndësinë dhe vlerën e epopesë së UÇK-së. Nëse Ukraina nuk do të rezistonte, edhe uniteti i drejtë perëndimor nuk do të ishte i mundur. Vullneti ukrainas do ta bëjë të mundur progresivisht kthjelltësinë e shprehjes botërore. Pra vullneti i Ukrainës do ta përcaktojë njëjësinë e subjektivitetit të saj sovran me subjektivitetin demokratik perëndimor. Njësimi i vullnetit të Ukrainës me subjektivitetin e saj do të rrisë mbështetjen botërore dhe qartësinë e kësaj mbështetje, duke i dhënë botës një drejtësi më të pjekur e afatgjatë. Luftrat çlirimtare të popujve të pushtuar e kanë pjekur gjithnjë mendimin e njerëzimit. Kështu ishte edhe në vendin tonë në kohën e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999.

Eh pra, sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e luftës së saj. Populli i Kosovës, pa shtet e pa ushtri, gjeti vullnetin për me ndërtu një ushtri çlirimtare. Sigurisht me një çmim historik: jo vetëm dy vite luftë, por me rezistencën shekullore, me pushtim e me burgosje, me protesta e me rezistencë ilegale. Ne i dhamë shembujt më shpjegues një bote të tërë, që nga viktima civile foshnje e gra, deri te familja dëshmore e deri te farefisi dëshmor. Të gjithë gamën e vullnetit ne ia shpallëm njerëzimit demokratik.

Ne urojmë që shpirti ynë të jetë i tillë që jehon gjithandej në botë, e që Ukraina mos të jetë as Bosnje e as Kosovë, të mos ketë 600 shekuj burg politik si pati për shqiptarët, të mos ketë as spastrimin etnik e as të zhdukur me dhunë, as përdhunime seksuale e as masakra të panumërta. Sakrifica jonë e kishte njoftuar botën demokratike mbi rreziqet e mbetur në Lindjen e padepërtuar nga demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Të dashur miq, ne e dimë mirë se duhet menduar thellë për me pa larg. Ne mendojmë thellë sepse dëshmorët i kemi afër. Ne mendojmë së afërmi sublimen. Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembullt – flijimin e të gjitha moshave për lirinë – familjen Jashari. Sa më shumë vonohet veprimi i shoqërisë politike, aq më shumë pesha civili bëhet ushtarë e dëshmorë sepse detyrohet. Dhe dëshmia do të na bërtasë më pas nga numri i varreve, nga emrat e grave dhe moshat e fëmijve të gdhenur në mermer.
Dëshmori është vullneti sublim. Sa më shumë që e mendojmë sublimin e tyre, aq më e sigurtë është drejtësia e paqes së ardhshme, aq më i pamundshëm është rreziku për njerëzimin.

Në kohën e rezistencës së një shekulli ne i kemi studjuar aleancat, i kemi njohur e i kemi shquar. Bota sot po shkon drejt segmentit luftë e ftohtë – luftë bërthamore. Aleanca e studjuar dhe efektive është e vetmja mundësi që të mos kenë mundësi subjektivizmat e shteteve autokratë dhe diktaturat despotike të pushteteve mbi popujt e tyre. Nuk mund të bëhet tregti me dikë që nuk ndan vlera njëjtat.

Në aleancat tona ne nuk flasim me emra abstraktë e të përgjithshëm. Ne flasim me emra shtetesh. Edhe kur mendojmë BE-në, ne mendojmë para së gjithash shtetet më të përparuar e më themelues të idesë së saj. Paqja ndërtohet nga shtete e popuj, siç edhe pushtimi që kryhet nga shtete dhe heshtja ose bashkëpunimi i popujve të tyre. Nëse Evropën e përcaktojnë shtetet që e mbrojnë më shumë idenë e saj, atëherë Evropa do të jetë afër idealit të saj. Evropa afër idealit të saj, do të jetë ajo që do të ndjejë se shqiptarët kanë qenë gjithnjë të sigurtë në zgjedhjen e tyre evropiane. Një bashkësi evropiane e fuqishme sa e drejtë do ta kuptojë se Ballkani ka qenë jo çështje e ngutshme e popujve të saj, por e vet Evropës. Harmonia në Ballkan nuk është e vetvetishme nëse nuk është pjesë e ngutshme e projektit të Evropës. Nuk na lipsen luftrat për të kuptuar subjektivizmin e botës serbe dhe të botës ruse. Shqiptarët janë aleatët e Evropës, kanë qenë dhe do të jenë aleatët e demokracisë. Sa më shumë BE-ja i mbante larg vetes shqiptarët, aq më shumë funksionimi shtetëror i tyre dëmtohej në nivelin e saj të brendshëm demokratik.

Sot, koha e neutralitetit mori fund. Neutraliteti nuk bën pjesë në politikë, por vetëm në diplomacinë pa politikë e pa parime. Ndaj ne nuk ngutemi. Në çdo akt tonin diplomatik ne synojmë të vendosim sa më shumë përgjegjësi të politikës dhe të publikes. Institiucionet e Evropës duhet të nguten. Ne duhet të integrohemi në vetvete demokratikisht, dhe kjo kushtëzohet e lehtësohet në masën dhe shpejtësinë me të cilën na integron Bashkimi Evropian. Një popull që ka epope çlirimtarësh, nuk do të duhej të kishte epope refugjatësh, por vetëm epope integrimesh.

Ne i qëndrojmë njoftimeve e deklarimeve që kemi bërë, natyrisht me mundësinë tonë e në masën që mund të dëgjohemi. Evropës i duhet të integrojë luftën çlirimtare të Kosovës dhe jo varrezat masive që fshehin masakrat e ushtrisë serbe në trupin e shtetit serb. Nuk ka neutralitet kur bëhet fjalë për ndjenjën e lirisë. Nuk ka simetri mes pushtimit dhe lirisë. Sa më shumë tolerohet në simetrinë e gabuar, aq më shumë bashkësitë demokratike bien në faj, aq më të pakthyeshme bëhen pasojat. Aq më shumë pjesët e sëmura prej shovinizmit do të gjejnë mjedis të favorshëm. Rusia do të shkojë drejt të shkuarës sovjetike, ndërsa presidenti i saj drejt kohës së carëve. Serbia do të flasë për djepin e saj në Kosovë dhe Rusia për djepin e saj në Ukrainë. Të dyja do të kenë frikë instiktive për BE-në dhe NATO-n. Dorëlëshimi i gjatë i simetrisë së gabuar mes pushtimit dhe lirisë, mes shoqërive demokratike dhe shteteve autokratike do të sjellë bipolaritetin e luftës së ftohtë. Nuk duhet të ngutej Kosova e të dilte kundër dëshmorëve të saj, por duhet të ngutet Evropa e të zgjidhte dëshminë e çlirimtarëve të popujve të saj të shtypur. Kjo është rëndësia e madhe dhe themelore e dëshmorëve tanë. Ajo na mëson mbi vullentin dhe shijen e vërtetë të demokracisë perëndimore.
Lavdi kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Lavdi familjes Jashari.
Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit.