Portali “Telegrafi” ka risjellë shkrimin e akademikut Fehmi Agani (1932-1999), të botuar në maj të vitit 1991 në “Fjala”, me titullin: Si duhet të zgjidhet çështja shqiptare në Ballkan?

Në këtë shkrim Agani zbërthen sintagmën “Shqipëri e Madhe”, që gjithmonë është shfrytëzuar nga serbët kundër interesave shqiptare, për të mohuar Shqipërinë etnike.

Akademiku u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe, më 6 maj të vitit 1999. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Ibrahim Rugovës dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Si duhet të zgjidhet çështja shqiptare në Ballkan?

Nga Fehmi Agani

Sintagmë e çuditshme dhe shumë e rrezikshme kjo: “Shqipëria e Madhe”!

U përdor dhe u keqpërdor si etiketë e diskualifikim, si kërcënim e njollosje, si dënim a e drejtë ankese! Ishte vokabular i pashmangshëm i politikanëve dhe i atyre që i pretendonin lartësisë e privilegjet, të cilat s’arrihen pa u ngjitur kokulur shkallëve të turpit. Ishte term shfrenimi e mallkimi, akuzë, dënim dhe ekzekutim i menjëhershëm! Dhe arritëm ta dëgjojmë këtë sintagmë edhe në skenë, si një përqeshje e parodizim, më duket fare i pasukses: “Gjithë bota do të bëhet një – Shqipëri e Madhe”.

Sa kush e ka pësuar, sa kush është dënuar, sa vite burgu janë vuajtur për shkak të akuzës për – Shqipëri të Madhe! Sa frikësime, sa denoncime, sa ndërprerje të zhvillimit normal jetësor nga kjo akuzë!

Mbi të gjitha “Shqipëria e Madhe” ishte një mashtrim, një mistifikim, një errësim i çështjeve. Shërbente për të mjegulluar, jo për të ndriçuar gjë. Pushtetit të hegjemonisë i shërbeu gjithmonë për të dekurajuar dhe për të pamundësuar kërkesat normale e legjitime të shqiptarëve përkëtej kufirit. E edhe për t’iu kërcënuar atyre përtej kufirit!

Dyzet vjet u grindën partitë komuniste të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe akuza e kërcënimi më i rëndë që u bëhej udhëheqësve të komunistëve të Shqipërisë ishte akuza dhe kërcënimi se ata dëshirojnë – Shqipërinë e Madhe. Dhe, aq insistohej në këtë akuzë sa e detyruan prijësin e komunistëve të Shqipërisë (këtë e kam me të dëgjuar) të thotë diku pas vitit 1981: po na akuzojnë për Shqipëri të Madhe, sikur të donin të na detyronin të deklaronin se jemi për Shqipëri të Vogël!

Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe, për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe! Mendohej se kjo shprehje është mjaft e demonizuar dhe mund të arrijë bllokimin e plotë dhe ilegjitimimin e çdo kërkese të shqiptarëve.

Edhe kërkesa për subjektivitetin e shqiptarëve dhe konstituimin e barabartë, federal ose konfederal të Kosovës, për Republikën e Kosovës, e artikuluar qartë në diskutimet kushtetuese dhe veçanërisht në demonstratat e vitit 1968, e shprehur fuqishëm më 1981 dhe e kodifikuar si kërkesë gjithëpopullore më 1990, nga forcat e hegjemonisë u refuzua dhe u ndoq gjoja si kërkesë për Shqipëri të Madhe.

Që edhe sot forcat e hegjemonisë e të dominimit përpiqen ta përdorin letrën e “Shqipërisë së Madhe” kundër kërkesave të shqiptarëve, dëshmohet qartë edhe me Informatën e Kryesisë së Jugosllavisë mbi gjendjen e sigurisë në vend, që iu dërgua këto ditë Kuvendit Federativ.

Kosova trajtohet, “për nga pasojat e mundshme politike e të sigurisë”, si një ndër vatrat kryesore të krizës. Përmenden marrëdhëniet e ashpërsuara ndërnacionale, rezistenca ndaj masave të Serbisë – represioni serb është i bekuar, mallkohet rezistenca! – dhe internacionalizimi i gjendjes në Kosovë. Dhe, prapë: Shqipëria e Madhe.

Edhe kërkesat për realizimin e Kushtetutës së Kaçanikut, edhe kontaktet kaq të pakta dhe fare normale me subjekte politike të Shqipërisë, vlerësohen si të tilla që synojnë – “realizimin e qëllimit të përbashkët – krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

Të mësuar me këtë shpërdorim, pakkush pyet: vërtet, nga erdhi, ç’është dhe ç’mund të jetë kjo Shqipëri e Madhe?

Në një përcaktim elementar, por në esencë të saktë, ky atribut i jepet një shteti që shtrihet përtej kufijve të zonës së tij të natyrshme etnike, zonës ku kombi përkatës përbën shumicën. Pra, Bullgaria e madhe do të ishte shtrirja ose pretendimi i shtetit bullgar për t’u shtrirë jashtë zonës ku bullgarët përbëjnë shumicën.

Kështu do të mund të thuhej për Serbinë e Madhe, për Greqinë e Madhe etj. Ndodh që vende ose popuj të caktuar, në çaste euforie triumfaliste, të proklamojnë haptas madhësinë ose pretendimet e tyre për madhësi, sikundër ngjet sot kur flitet haptas për idenë dhe pretendimet për krijimin e Serbisë së Madhe, për Serbinë prej Horgoshi deri në Dragash etj.

Por, zakonisht, pikërisht pse projekte ose pretedimet e këtilla implikojnë aneksimin dhe pushtime të të tjerëve, bëhen përpjekje që ato të fshihen, flitet për ato me eufemizëm, në formë të kërkesave: të krijojmë Serbinë që të përfshijë të gjithë serbët! Kërkesa të këtilla, në dukje të parë, sikur gëzojnë legjitimitet.

Nisur nga përcaktimi i mësipërm, ç’është apo ç’do të ishte Shqipëria e Madhe?