Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, zv. kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar para medieve se procesi i rindërtimit pritet të përfundojë gati në të gjithë vendin brenda muajit shtator. Ahmetaj shtoi se pas kësaj periudhe punimet do të vijojnë vetëm te “5 Maji” dhe në zonën e Kombinatit, zona këto ku ka pasur më shumë vonesa për shkak të problemeve me shpronësimet dhe vendimeve të gjykatave.

Do fokusohem te vendimet për rindërtimin. Janë një sërë vendimesh për rindërtim të pallateve apo ndërtimeve individuale. Konfirmojnë edhe përfundimin me faza të objekteve arsimore. Një seri objektesh arsimore janë duke u dorëzuar të përfunduara, ndërkohë statistikë e rëndësishme është se po ndërtojmë 167 shkolla. Vetëm në Tiranë po ndërtohen 37 shkolla, më shumë se në 30 vitet e fundit. Shuma në programin e rindërtimit në të gjitha vitet në ato që kanë kaluar dhe në një vit e gjysmë në vazhdim mund të shkojë në 1.2 mld dollarë. Në të njëjtën kohë ndaj me qytetarët një informacion për pjesëmarrjen e kompanive në procesin e rindërtimit. Programi i investimeve publike më social që ka prekur direkt dhe indirekt gjysmë milioni qytetarë dhe ka pjesëmarrjen më të gjerë të kompanive në të gjitha fazat e veta. Janë vetëm te FSHZH 1377 kompani që marrin pjesë. Fondet janë ndarë me transparencë që nga planifikimi i buxhetit e deri te vendimet e qeverisë. Dua të ndaj me qytetarët që jemi në shumicën e bashkive të dëmtuara nga tërmeti në fund të procesit të rindërtimit. Dy zonat që do vazhdojnë përtej vjeshtës janë 5 Maji dhe Kombinati për shkak të problemeve të pronësisë apo vendimeve gjyqësore”, tha Ahmetaj.