Tre muaj pushim, pastaj mbetet për tu parë. Kjo është prognoza e parë që jepet për gjendjen shëndetësore të Sergio Agueros, i cili ndjeu dhimbje në gjoks mbrëmjen e së shtunës gjatë ndeshjes mes Barcelonës dhe Alaves, kërkoi zëvendësimin dhe përfundoi në spital për kontrolle. Kjo është deklarata e Barcelonës, që zbulon kohët e rikuperimit: “Lojtari i ekipit të parë Kun Aguero i është nënshtruar një procedure diagnostike dhe terapeutike nga Doktor Josep Brugada. Ai do të jetë i padisponueshëm në tre muajt e ardhshëm dhe do të vlerësohet efektiviteti i trajtimit për të përcaktuar procesin e rikuperimit të tij”.

Një goditje e keqe për lojtarin 33-vjeçar që sapo ka ardhur te Barcelona, i liruar nga kontrata me Manchester City. Aguero pati një problem me pulpën e djathtë në gusht dhe debutoi me Barcelonën vetëm më 17 tetor. Vetëm dy javë kohë për të provuar fushën dhe mbërrin ky lajm i keq. Sipas asaj që u zbulua të dielën nga e përditshmja katalanase Diari Ara, sulmuesi argjentinas kishte vuajtur nga aritmitë edhe në të kaluarën dhe, sipas El Pais, episodi i fundit kishte mbërritur rreth dhjetë ditë më parë në stërvitje.

Të shtunën ‘Kun’ pa asnjë përplasje i sinjalizoi arbitrit se kishte probleme me frymëmarrjen, u ul në bar dhe më pas u largua nga fusha me këmbët e veta. Nga stadiumi ai u transportua me ambulancë në Hospital de Barcelona dhe aty nisi të kryente analizat e rastit. Fillimisht kontrollet zbuluan ekzistencën e një problemi që kërkon një ndalesë të zgjatur dhe që, më pas, do të duhet të vlerësohet përsëri. Është e vështirë të parashikohet tani nëse dhe kur Aguero do të jetë në gjendje të rifillojë të luajë.

Në Instagram, i vëllai ‘Kun’, në spital me të së bashku me nënën dhe të dashurën e futbollistit, mbrëmjen e së dielës, kishin dhënë siguri për gjendjen e argjentinasit, duke i falënderuar të gjithë për vëmendjen dhe afeksionin e marrë. Në fakt Aguero është mirë, por tani për tani ai nuk mund të luajë.