Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat ka komentuar vizitën e Ëngjëll Agaçit të premten në SPAK. Sipas Këlliçit, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është një prej aktorëve kryesorë në masakrën më të madhe financiare që u është shkaktuar deri më tani taksapaguesve shqiptarë. Me këtë deputeti i referohet çështjes së inceneratorëve. Deputeti demokrat rendit 9 akuza që sipas tij bien direkt mbi Agaçin. Ai përsërit edhe një herë qëndrimin e mbajtur nga opozita, se kryeministri Edi Rama është ai që “mban skemën në lëvizje”. Këlliçi tha se shpreson që thirrja e tij në SPAK të mos ketë qenë, siç u shpreh ai, sa për t’u hedhur hi syve mediave.

“Por Agaci ka përgjegjësitë e tij, të cilat nuk janë të pakta. Akuzat ndaj tij janë plot 9 dhe po i listojmë më poshtë:

1. “Shpërdorim i Detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal
2. “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal
3. “Fshehja e te ardhurave” parashikuar në nenin 180 të Kodit Penal
4. “Mospagimi i Taksave”, parashikuar në nenin 181 të Kodit Penal
5. “Moskryerja e detyrave nga organet Tatimore”, parashikuar në nenin 181/a të Kodit Penal
6. “Përfitim i Paligjshëm i interesave”, parashikuar në nenin 257 të Kodit Penal
7. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të Lartë Shtetërorë” ose të Zgjedhurve Vendorë”, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal
8. “Pastrimi Produkteve të veprës penale”, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal
9. “Moskallëzim Krimi, parashikuar në nenin 300 të Kodit Penal”, shkruan Këlliçi.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi është paraqitur të premten në Prokurorinë e Posaçme. Zyrtarisht SPAK, nuk konfirmoi se për cilin hetim ka dhënë deklarime Agaçi.