Dita e hënë është afati i fundit i aplikimit për të gjithë qytetarët e pastrehë që duan të përfitojnë kredi të butë nga Bashkia e Tiranës.

Faza e parë e aplikimeve, të cilat kryhen pranë njësive administrative ku qytetarët janë të regjistruar, është çelur më datën 6 Dhjetor 2021 dhe mbyllet në 10 Janar 2022.

Përmes programit të strehimit “Për subvencionimin e interesave të kredisë”, Bashkia merr përsipër që të subvencionojë interesat e kredive që do të marrin përfituesit, duke u mundësuar atyrë një normë fikse prej 3%.

Ky program synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para për për qytetarët, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës. Kriteret bazë për përzgjedhjen e përfituesve do të jenë: indivdë të cilët kanë mbushur 18 vjeç; që nuk kanë në pronësi një banesë apo që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; dhe familje që zotërojnë të ardhura benda kufijve të përcaktuar nga Bashkia.

Për të përfituar kredi, një familje e vogël me 1-2 persona duhet të ketë të ardhura mujore të deklaruara 31 mijë deri në rreth 82 mijë lekë në muaj. Të ardhurat për familje 3 persona, duhet të jenë 37 mijë deri 120 mijë lekë.

Familjet me 4 anëtarë duhet të sigurojnë të ardhura mujore nga 44 mijë lekë deri në 133 mijë lekë. Ndërsa për ato me 5-6 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 53-131 mijë lekë në muaj.

Ndërkohë vlera e e përfitimit nis nga 4.4 milion lekë për familjet me 1-2 persona për strukturë apartamenti garsoniere, deri në 7.5 milion lekë për familjet mbi 5 anëtarë, me strukturë apartamenti 3+1.