lefteria-e-lleshit_0
Ka pasur një shprehje të vjetër në politikën shqiptare: “ato institucione që Berisha i merr me dhunë, të majtët i bëjnë për vete me blerje apo joshje”. Kështu me sa duket po ndodh edhe me KQZ-në aktuale. Duket se kryetarja e saj, ish këshilltarja e Jozefina Topallit, e katapultuar atje për tu treguar më besnike se Arben Ristani, ka ndryshuar kamp në këto zgjedhje. U bë e disata herë që Lefteria, bashkë me mbiemrin, ka ndryshuar edhe kahun e votës së saj. Ajo tashmë e ngre dorën në sintoni me të majtët.

Kështu ka ndodhur edhe në këtë fillim javë kur KQZ ka votuar me 4 kundër dhe 3 vota pro, që Ilir Pjetraj të mos qe konkurrenti i PD-së për rrethin e Kurbinit. Në të gjithë këtë histori kishte diçka të çuditshme. Ilir Pjetraj, vëllai me emër tjetër i të shumpërfolurit Mhill Fufi, kishte arritur që kandidati tjetër i emëruar fillimisht nga PD-ja, Altin Biba, të jepte dorëheqjen. Natyrisht që kjo dorëheqje qe bërë sipas mënyrave të njohura “me vullnet të lirë”. Mirëpo KQZ-ja nuk e ka pranuar vëllain e Fufit me mbiemër të ndryshuar. Për dy herë më radhe anëtarët e komisionit të zgjedhjeve kanë votuar në shumicë, kundër Pjetrajt me arsyetimin se ai kishte dashur të regjistrohej jashtë afateve kohore. Deri këtu situata duket normale dhe vendimi i shumicës mund të jetë i përligjur. Por po të shkohet pak më tej gjendja nuk është krejt normale. Zakonisht, pa pyetur për ligjshmërinë dhe zbatimin e saj, anëtarët e KQZ-së votojnë sipas partive që i kanë shpënë në ato karige.

Por u bë më shumë se një rast që kryetarja Lefterie Luzi ka ndryshuar këtë rregull të pashkruar. Në dy raste ajo i bashkoi votat me “të majtët” në rastin e Kurbinit. Dhe këto nuk qenë rastet e vetme. Jo më larg se dje edhe kreu i PSD-së Gjinushi përpos Kolegjit zgjedhor akuzoi edhe KQZ-në, si mashë të duart e shumicës pasi ajo kishte penguar rregjistrimin e dy kandidatëve të kësaj partie në Prrenjas dhe në Malësinë e madhe.

Edhe më parë kur po diskutohej në KQZ konflikti se me sa nënshkrime duheshin pranuar të garonin kandidatët e pavarur që kishin drejtuar njësi lokale (Rasti emblematik i Arben Tafajit në Tiranë) Lefteri Luzi i bashkoi votat me kqz-istët e majtë. Tashmë është e qartë: Lefteria ka kapërcyer ylberin.

Pas zgjedhjes së vitit 2013, socialistët që kishin bërë një betejë të madhe kundër ndryshimit të KQZ-së në mënyrë partiake sipas modelit të dhunshëm që bëri Berisha pas prishjes së koalicionit me LSI-në, e kishin tejet të vështirë të aplikonin të njëjtat metoda. Ndaj ata nuk zgjodhën mënyrën e ndryshimit të dhunshëm të anatarëve të komisionit zgjedhor që kanë një mandat kushtetues, por atë të joshjes së kryetares së saj. Dhe me sa duket ja arritën. Në problemet kruciale Lefteria tani voton majtas.