Situata në spitalin COVID është e qëndrueshme dhe pse në 48 orët e fundit ka pasur një rritje të urgjencave mjekësore. Kështu raportoi gazetari Erjon Skëndaj nga QSUT për situatën e COVID-19 në spitale. Ai tha se rritja e shtrimeve është në masën 20%.

“Rritja e infektimeve është më e ulët. Në harkun e një jave ka pasur një rritje të infektimeve me 800 më shumë.
Për personat që mbërrijnë në spital, mjekët ngrenë alarmin për ardhjen me vonesë. Rasti më i fundit për një 44-vjeçar dhe një të moshuar që janë sjellë në frymën e fundit, sa që mjekët nuk kanë arritur as t’i fusin në reanimacion dot. Ky është apeli që i drejtohet qytetarëve nga mjekët, për të mos e lënë gjendjen të agravojë.
Situata është e njëjtë si në Tiranë ashtu dhe në rrethe. Ka një frikë tek qytetarët se në spital nuk jepet trajtimi i duhur. Nuk ka mjekim të diferencuar në spital, siç operohet në shumë vende të botës që veprojnë me disa medikamente të nxjerra së fundmi. Trajtimin e spitalit nuk mund ta zëvendësojë shtëpia.
Vijon të jetë një rast i komplikuar në spital. Një grua rreth 40 vjeçe, i është nënshtruar një lindjeje të parakohshme, ka sjellë në jetë dy binjakë. Gjendja e saj është e komplikuar. Është në terapi intensive, është koshiente, po trajtohet nga mjekët. Mjekët kanë shpresë dhe le të shpresojmë deri në fund që do t’ia dalë”, raportoi Skëndaj.