Shënohet sot 2 vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit në vendin tonë që la pas 51 viktima dhe mbi një mijë të plagosur. Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit. Por në dy vjetorin e kësaj ngjarje tragjike për vendin tonë qeveria ka dorëzuar edhe banesat për dhjetëra familje. Ndërsa prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për 7 zyrtarë të vënë nën akuzë lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama një ditë më parë vizitoi lagjen e re të Thumanës, ku pa nga afër punimet e fundit në kompleksin e apartamenteve, ndërsa sot e kujton në rrjetet sociale. Ai thotë se kjo tragjedi na ka bërë më të fortë ndërsa ndihet i lehtësuar që mijëra familje sot janë më mirë sesa para tërmetit.