10% e popullsisë në Tiranë dhe 6% e popullsisë në Durrës jetojnë aktualisht në ndërtesa me rrezikshmëri shumë të lartë, që mund të shemben në rast të një tërmeti tjetër. Një studim i Bankës Botërore ka analizuar se dy llojet e ndërtesave që rrezikojnë më shumë janë pallatet me beton të armuar dhe ndërtesat me muratuara, të cilat mund të shkaktojnë më shumë fatalitete.

Shqipëria ka përjetuar shumë tërmete me ashpërsi të mëdha vitin e kaluar por edhe në të shkuarën. Më vdekjeprurësit ishin një seri tërmetesh në 1851 pranë qyteteve të Vlorës dhe Beratit, duke shkaktuar humbjen e 600 jetëve. Një tjetër tërmet i madh me magnitudë 6.5 në vitin 1967 shembi rreth 500 shtëpi, lëndoi 170 persona dhe shkaktoi 20 fatalitete. Në vitin 2019, Shqipëria u godit nga një seri tërmetesh të dëmshme, prej të cilëve më shkatërrimtari ishte tërmeti me magnitudë 6.4 më 26 nëntor.

Banka Botërore analizon se një pjesë e madhe  e pallateve në Shqipëri dhe në të gjitha qytetet e Europës Qendrore, Ballkanit dhe Azinë Qendrore janë të prirura të pësojnë dëme nga tërmetet. Dobësia e këtyre objekteve i atribuohet mënyrës së ndërtimit dhe mungesës së mirëmbajtjes, mbikëqyrjes gjatë shumë dekadave.