rama-idrizi
Roli që Edi Rama i ka dhënë PDIU –së në dy zgjedhjet e fundit në Dibër e Kolojnë ka nisur të krijojë shqetësim në PS. Për herë të parë PDIU drejtoi një fushatë në Dibër. Dhe për herë të parë, thotë kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, ajo ndërtoi struktura në Kolonjë. Dhe sipas saj, strukturat janë krijuar në mënyrë artificiale. “Duke marrë pushte dhe duke emëruar drejtorë, kërkojnë të zgjerojnë partinë”, thotë Dade, duke e quajtur këtë praktikë si të papranueshme.

“Ka një tentativë për t’u zgjeruar në mënyrë artificiale, madje edhe në zonën time. Nuk ka ekzistuar asnjëherë një parti që të përfaqësojë këto interesa atje. Në mënyrë artificiale kërkojnë të emërojë drejtorë dhe sigurisht, duke marrë pushtet kërkojnë të zgjerojnë partinë. Dhe personalisht jam kundër kësaj praktike, sepse kjo nuk i sjell asnjë gjë të mirë qeverisjes, nuk u sjell asnjë gjë të mirë as forcave të koalicionit, për arsyen e vetme se, po të marrim partinë e çamëve, ata nuk kanë qenë me ne në koalicion në 2013 –ën dhe bashkangjitja me ne, sigurisht edhe për efekte pragmatiste, sepse ndoshta duhen edhe votat në parlament, por ashtu sikurse bëmë në koalicionin që kishim në 2013…, Kaq artificiale është kjo saqë edhe individë të caktuar, duke ikur nga njëra parti, shkojnë te tjetra, marrin ca pozicione dhe u duket vetja se tani këta kanë ndonjë rol kushedi të rëndësishëm tani për të luajtur. Në fakt kjo praktikë artificiale e krijimit të partive nga postet që marrin në qeveri, për mua është e papranushme. Dhe kjo nuk është as demokratike”, u shpreh Dade në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus.

Gjatë zgjedhjeve në Dibër PDIU u akuzua se ngriti struktura për blerjen e votës dhe po ashtu përdori emërimet në administratë me qëllim që të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve. Disa përfaqësues të saj u denoncuan nga opozita në prokurori, por organi i akuzës nuk i ka përfunduar ende hetimet. PDIU, sipas burimeve të besueshme brenda mazhorancës, ka gjysmën e pushtetit në këtë bashki. Analistë të ndryshëm politikë e kanë parë PDIU –në si alternativën e Ramës ndaj LSI –së së Ilir Metës për zgjedhjet e vitit 2017, duke qenë se LSI nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë koalicionin me PS –në. Deklarata e zonjës Dade për rritje artificiale të PDIU ngjan si një këmbanë alarmi për PS –në për të parë realisht se sa mbështetje ka në elektorat kjo parti.