Në prag të zgjedhjeve qendrore të parakoshme që priten të mbahen këtë të diel të 6 tetorit, shpenzimet e partive politike garuese vijojnë të mbeten të padeklaruara, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje që ka pranuar të tregojë vlerën e pretenduar të shpenzimeve para dhe gjatë fushatës.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Bekim Gashi, drejtues i sekretariatit për Financa në Lëvizjen e Vetëvendosjes, është shprehur se “shuma maksimale që Vetëvendosje ka planifikuar të shpenzojë për zgjedhje, që përfshinë periudhën nga 22 gusht deri më 6 tetor, është 565 mijë euro”. Sipas tij, Vetëvendosja nuk disponon më një shumë të tillë të parave për shpenzim, por pret mbështetjen e qytetarëve përmes donacioneve.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera politike kanë mbajtur me hermetizëm informacionin lidhur me shpenzimet përgjatë kësaj fushate ekektorale. Sipas shoqërisë civile, në Kosovë ekzistojnë disa kompani private, që financojnë gati secilën prej partive politike, e të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga pasi forcat e besuara  vijnë në pushtet. Financimi transparent i partive është ndër të tjera  kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit vijnë si rezultat i dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës për të dëshmuar në Hagë si një nga eksponentët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesërisht edhe si pasojë e krisjeve në koalicionin AAK-PDK-Nisma.

Pjesë e garës për të marrë drejtimin e qeverisë së re janë: Albin Kurti, kreru i Lëvizjes Vetëvendosje; Fatmir Limaj, kreu i Nismës për Kosovën; Vjosa Osmani nga radhët e LDK-së; Kadri Veseli, lider i PDK-së; Ramush Haradinaj, drejtuesi i AAK-së, si edhe Nenad Rashiq, i propozuar nga koalicioni -Sloboda- ( Liria).

Në këto zgjedhje të parakoshme do të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore. Numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit, është 1,937,868.

Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive. Bashkimi Evropian ka vendosur një mision prej rreth 100 vëzhguesish, të cilëve do t’u bashkohen edhe diplomatët euro-perëndimorë të akredituar në Prishtinë.

Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka bërë me dije se po punon me mekanizma të tjerë, duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve.

Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht lidhur me çështjen e tarifës 100 % ndaj mallrave serbe dhe për rivendosjen e dialogut me Serbinë, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimin evropian të tyre