Captureggg_0

Dialogu që Edi Rama i kërkon Partisë Demokratike ka të bëjë vetëm me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. “PD ta harrojë qeverinë teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve” u shpreh kryeministri nga monologu që bën çdo të dielë në Facebook. Zgjedhjet në Kavajë do të jenë përplasja e parakohshme e të dy palëve.

“Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhjet e 7 Majit për qytetin që ajo qeverisi me një bilanc katastrofik” u shpreh Rama, duke e konsideruar këtë qëndrim “marrje peng të popullit” dhe “destabilizim të vendit”. “Me ose pa Partinë Demokratike populli duhet dhe do të zgjedhë i lirë në ditën sovranitetit të tij të pakundërshtueshëm, qoftë në zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së Bashkisë së Kavajës, qoftë në zgjedhjen e parlamentit të ri të qeverisë së Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme.” u shpreh Rama.

“Bujrum të dialogojmë dhe të votojmë së bashku cdo ndryshim që e forcon ligjin e zgjedhjeve dhe çdo mekanizëm që I duhet PD që të ndjehet e garantuar për zgjedhje, por qëndrimi im është i pandryshuar për gjithçka nuk kemi në dorë” tha Rama duke shtuar se nuk do të ketë negociata për qeveri teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve.