Capture_66

I dashur miku im Ilir*,

Po të drejtohem me këto fjalë si në kohët më të zjarrta të miqësisë sonë të vërtetë dhe të sinqertë.

U mendova gjatë që të ta shkruaj këtë letër. Por ajo që më shtyu ta bëj përfundimisht janë mesazhet e panumurta në telefonin tim që më vinë nga aleati ynë Shpëtim Idrizi. Ai më thotë se po largohet nga bashkëpunimi ynë pasi nuk ka më besim tek unë. Pasi ka frikë se do t’i marr partinë me anë të atij Qifes që unë e paskam kaluar nga krahu im. Ai më akuzon për pabesi dhe për shpërfillje. Ai më akuzon gjithashtu se kur kam qenë ndryshe nga situata që gjendem sot, pra kur kam qenë në kulm të fuqisë sime, e paskam injoruar dhe paskam dashur ta shaktërroj.

E di i dashur Ilir se nga këto paranoja nuk ke mbetur i pa prekur as ti miku im. Pikërisht kjo më bëri të drejtohem me këtë letër.

Unë jam i ndërgjegjshëm që ti nuk e honeps dot këtë lloj komunikimi. E mbaj mend që nga koha kur ishe shefi im, dhe unë ministri yt i bindur i kulturës, se ti kishe alergji nga letrat e gjata që të drejtoja atëhere. Tani jam i bindur se ti nuk ke nerva të lexosh gjatë. Jam gjithashtu i bindur se ke aversion për shkronjat. Ndoshta të ka mbetur që nga koha e largët kur lije mësimin për të shkuar në stërvitjen e peshngritjes. Ndoshta të është përforcuar gjatë periudhës të gjatë të ushtrimit konkret të pushtetit. Nuk e di.

Megjithëatë unë po marr guximin të të shkruaj gjatë për t’u sqaruar njëherë e mirë.

Në takimin tonë të fundit në zyrën tënde, ti më the se po bëhem diktator. Më the se nuk do më lejoje ta bëja Shqipërinë pronë timen duke burgosur të gjithë rivalët politikë. Unë u mundova të të bind për të kundërtën. Po më kot të tërhoqa nga xhaketa të mos ikje ashtu me vrik nga zyra.

Dështova. Thirra më pas edhe Petrit Vasilin. Po me të është kot të flasësh. Ti kujton se e ke bërë për vete, por ai i beson më shumë miqësisë të çuditshme që ka me atë gazetarin e kazanit që më urren mua, sesa logjikës sonë politike.

Kështu pra, po mundohem të bëj edhe një tentativë të fundit për të të bindur, i sigurtë se ti e di më mirë sesa kushdo se sa herë që kemi qenë në krah të njëri tjetrit kemi dalë fitues dhe se sa herë jemi vënë përballë kemi riskuar shkatërrimin.

Për të qënë sa më i besueshëm në këtë tentativë të fundit po e nis duke të kërkuar falje. Ashtu siç po bën ti sot edhe mua më gënjeu mendja gjatë këtij mandati se mund të të eleminoja me rrugë ekstra politike. Po, po, ti çuditesh, po ta pranoj se me ty kam gabuar. Dhe ti e di sa vështirë e kam ta pohoj një gjë të tillë.

Megjithëatë me shpresën se në këtë tentativë të fundit do të arrish të më kuptosh, po nis të rrëfehem.

Po, unë kam qenë në djeni të akuzave që të bëri Tom Doshi, duke të etiketuar si vrasës potencial.

Po, unë e shtyva atë median gjoja të pavarur të atij miliarderit çifut hungarez, të të gjuante për aferën e CEZ-it dhe Kastriot Ismailit. Ti kishte të drejtë kur thoje se atyre dokumentat ia dha Damiani me dorën e tij. Ti kishe gjithashtu të drejtë kur e akuzoje Ditmirin se e shpërndau në të gjitha kancelaritë atë dosje.

Edhe me atë kinezin e rrugës së Elbasanit unë i rakordova të gjitha. Atë e kam përdorur shpesh si informator. Ai i thërret kundërshtarët e mi në rrezidencën e tij, i pyet mirë e mirë dhe pastaj vjen e mi tregon të gjitha mua, ç’kanë thënë ata dhe ç’plane kanë kundër meje. Kështu e përdora edhe kundër teje. Dhe ai qe i gatshëm të shkonte deri aty sa të kërkonte burgosjen tënde.

E gatshme ta bënte këtë qe edhe ajo gruaja e Brukselit që sipas përgjimeve të Saimir Tahirit ti e quan gjithmonë “rruspia”. E mban mend, ajo sapo vuri këmbën në Tiranë deklaroi se reforma në drejtësi duhej bërë pa opzitën. Donin mbi të gjitha kokën tënde Ilir.

Po unë të betohem që nuk doja të shkoja deri këtu. Qëllimi im nuk ishte të të burgosja. As nuk më shkonte mendja tek një gjë e tillë. Të betohem për gjënë që kam më të shtrenjtë se gabimi im i vetëm ishte se doja të të dobësoja politikisht. Gabova vëllai im Ilir dhe për këtë të kërkoj të falur.

Shpresoj të kem mirëkuptimin tënd. E kam këtë shpresë duke u nisur edhe nga e shkuara e përbashkët.

Edhe kur të dola fjale me Nanon për katarthsisin, ti pate zemërgjërësinë të ngrihesh mbi këtë.

Edhe kur u bëra me Berishën në 2008 për të të zhdukur ty politikisht, ti sërish arrite t’a këpërcesh. Madje ti shkove edhe më tej. E hodhe pas krahëve edhe videon e Dritan Priftit të cilën paguam shumë për ta nxjerë në Top atë janar të ftohtë.

Po, po, ma fale edhe atë madje për të më siguruar mua se e kishe fshirë nga memorja të shkuarën, u bëre mik për kokë edhe me Lipen e Fiksit, sikur doje të tregoje se ti ke një shpirt të madh.

E di që tani që po e lexon këtë letër të gjatë me bezdinë e padurushme që të shkaktojnë shkronjat, mund të tundësh deri në stërmundim kokën tënde të madhe. Të njoh aq mirë sa të përfytyroj zmadhimin e tejskajshëm të syve, ngritjen lart të vetullave, rrudhjen e ballit, pastaj shpërthimin e një gazi të ububushëm ndërkohë që nuk ka asgjë për të qeshur, sa herë që të kap paranoja dhe mendon të gjesh se ku është konspiracioni në këtë “mea colpa” të radhitur kaq gjatë.

E di se ç’thua në atë vetminë tënde pasi ke shpënë në gjumë Erën që vazhdon të ketë në zemër doktorin dhe Monikën që nuk më duron dot.  E di që mendon se këtë herë nuk është njësoj dhe se unë jam përpjekur të të kalb në burg. Por jo, të betohem që nuk është e vërtetë.

Nga të gjitha gjërat e zeza që mund të mendosh në këto momente për mua, besoj se për një gjë je i sigurtë. Ti e di që unë nuk jam hakmarrës.

Ja po të jap një shembull. E mban mend ç’më ka bërë ai Aleko i Klanit kur qeverisnit bashkë? I mban mend fletrrufetë e ekranit të tij? E mban mend sa u tallën me mua? E mban mend si më nxorën me të pasmet e ngritura nga qielli dhe me topet që më vareshin në plazh? A u hakmorra gjë kur erdha në pushtet? Jo përkundrazi, e mbusha me leje ndërtimi që nga parku i liqenit e deri në brigjet e Adriatikut, duke i treguar se për mua e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara.

Po atë Naimin që shpërmban diploma e mban mend? Çfarë nuk bëri bashkë me ty për të më grabitur ato dhjetë votat e Tiranës. E në vend që të hakmerresha i bëra një ligj që po ia mbush auditorët me studentë, dhe për më tepër po i përkëdhel edhe sedrën duke e pritur në zyrë, duke bërë sikur i dëgjoj këshillat dhe duke e mandatuar si zëdhënësin tim në studiot televizive.

Po atë kolonjarin që dikur e quaja si “jashtëqitja në formë ylli e doktorit”, a e mban mend që më telendisi në atë pritjen në pallatin e brigatave. E fala edhe atë. Madje i shkova edhe në emision. E talla pak duke i thënë se kopjon Arian Çanin dhe Ledion po ky është kulmi i keqdashjes sime.

Të jesh i bindur, i dashur Ilir se do ti fal edhe këta pjestarët e tjerë të kazanit që ti i paguan sot kundër meje. Po, po, e di që je ti ai që i ndërsen. Ata thjeshtë qëndrojnë brenda, por kazani është i yti. Mos më kundërshto, unë e njoh forcën tënde.

Unë e njoh aftësinë tënde për të mbajtur gjithnjë të nginjur një megaloman obez si Zheji.

Unë ta njoh fuqinë joshëse që përkul edhe një rrebel të çartur si Nikolla, që nuk e mposhtën as burgjet dhe batalionet e Berishës së parë.

Unë ta njoh çmendurinë dhe guximin që të bën të besosh se mund të krijosh një “alter ego” të Batonit në Prishtinë, të aftë për të konkuruar me atë gjeni të komunikimit.

Unë ta njoh dredhinë për të përçarë tani në prag të 50-ave edhe binjakë shpirtërorë si Lenc Vangjeli dhe Minxhozi, që nuk pati fuqi t’i ndante as Rudina Xhunga.

Unë ta njoh guximin për të neutralizuar edhe Kaç Myftarin duke i vënë përballë impulset telefonike të Ilir Kullës.

Të betohem Ilir, se unë nuk do të hakmerrem as me këta. E di që është kazani yt që prodhon zift kundër meje, por unë nuk do ti mbaj mëri asnjërit.

Të betohen gjithashtu se nuk do ti godas as ata të tjerët. Pra as ata që si Vrana Konti, qëllojnë me zift nga jashtë kazanit.

Jo, jo nuk do të hakmerrem as me Fatos Qorrin që arriti kulmin duke shkruar një artikull roman ku më shpalli të çmendur. Kulmi i hakmarrjes time me të është që ti them se ti je aq i marrë sa nuk ka nevojë të të paguajë kush që të flasësh kundër meje.

Natyrisht, nuk ka për ti hyrë gjemb në këmbë as Bushatit që në mënyrë aq absurde më urren mua njësoj me Berishën sepse të dy sëbashku përdorëm Sandrin për ti zënë pamjen e detit në Qerret. E shumta që mund ti bëj është ta vizatoj në publik si një shqyerës pulash, që shokët e gjyshit ta kuptojnë se ka kaluar nga krahu i ballistëve.

Nuk do ta gjejë gjë as atë Shullazin e mediave, që njëherë më qëllonte nga frengjia e ABC dhe njëherë tjetër nga ajo e Lapsit. E shumta që i bëra është se e qarkullova me ngritje.

E shikon pra, i dashur Ilir, që unë jam larg të qenit hakmarrës.

Jam shumë larg portretit që më vizatove ti në sy, gjatë takimit tonë të fundit. Jo unë nuk jam autokrat. Nuk jam diktator. Nuk dua ta shndërroj Shqipërinë në një burg të madh as për ata që nuk pëlqejnë ndërtimet e Kazamontit, as për ata që nuk dashurojnë tipa si Elvis Roshi, as për ata që rrefuzojnë të bëjnë Check Up-in tek Vilma, as për ata që nuk duan të bëjnë pazar tek TEG-u dhe QTU-ja. Unë i toleroj edhe ata që nuk i duan miqtë e mi.

Jo, unë nuk jam as Putini dhe as Gruevski (ky në fakt është i yti) dhe aq më pak Erdogani. Prandaj si ç’bëra edhe të hënën në zyrën tënde, duke të tërhequr nga xhaketa, duke u përgjëruar, duke të rënë në gjunjë, të lutem të më falësh dhe të mos dëgjosh broçkullat e Lulëzimit të çadrës.

Të bëj edhe njëherë thirrje, i dashur Ilir, mos i beso kurrë fjalëve të atij hollandezit për të cilin vetë ke thënë se të gënjen edhe kur e pyet sa është ora.

Unë, si ç’po të tregoj vetë, vërtet të kam bërë disa gjëra pas shpine, por ama kurrë, kurrë në jetë nuk kam pasur guximin të të mashtroj sy më sy.

Prandaj të lutem i dashur Ilir, të lutem edhe njëherë, të mos ndahemi bashkë. Të mos shkojmë në divorc.

Po të them edhe një tjetër sekret.

Të vetmit mashkull që i jam lutur kaq shumë, është ai me të cilin ndaja të vetmin shtrat dhe të vetmen garsonierë, kur isha një student i varfër në Paris dhe jetoja me lekët e pakta të bursës së Sorosit. Ai më dëgjoi. Ai nuk iku. Dhe sot po shijon fatin e të qenit një artist i madh europian.

Po të lutem edhe ty. Dhe duke më dëgjuar shpresoj të kesh po të njëtin fat.

Besnikërisht i yti Edi

 

*Shumë nga ndodhitë e këtij teksti përkojnë me personazhet dhe ngjarjet reale