edi_rama_florian_raunig_9816
Publikimi i raportit konfidencial, për kriminalizimin e elitës politike në Shqipëri, duket se ka minuar përfundimisht raportet mes qeverisë shqiptare dhe misionit të OSBE në Tiranë. Pas shtimit të zërave publikë për përzënien e misionit të OSBE nga Shqipëria, mësohet se qeveria ka nisur lëvizjet e para.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka nisur dje zyrtarisht kufizimin dhe rrudhjen e rolit të prezencës së OSBE në Shqipëri. Për këtë, Ministria e Punëve të Jashtme, u ka kërkuar zyrtarisht të gjitha ministrive të linjës dhe sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, të rishikojnë projektet e përbashkëta me OSBE, në kuadër të planit për të nxjerrë jashtë loje dhe për të përzënë misionin nga Shqipëria.
Letra që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ, Qirjako Qirko, thekson se Shqipëria nuk ka më nevojë për prezencën e OSBE. Qirko u shkruan ndër të tjera ministrive të linjës se Shqipëria tashmë nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE, por kontribuon në promovimin e rolit të organizatës.
Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Qirjako Qirko u kërkon ministrive të dorëzojnë të gjitha projektet me OSBE, në kuadër të planit për të rrudhur rolin e misionit.
Ndërkohë theksohet se projektet në vijim, të mos jenë në vlera të mëdha dhe të jenë afatshkurtra.osbe_deklarataaa_9817
“Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon, dhe më gjerë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet tona me OSBE. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe promovimin e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë.
Parë në këtë këndvështrim, zhvillimet në Shqipëri do të justifikonin ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE në vendin tonë dhe tkurrjen e saj në disa fusha përparësore. Ministria e Punëve të Jashtme, e gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës së OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend.
Për këtë arsye, jeni të lutur të na informoni:
Projektet që institucionet tuaja kanë në proces (të shtrira në periudhë kohore) me OSBE, kostot e tyre dhe nëse ka edhe institucione të tjera kontribuuese financiare. Mbi idetë që keni për realizimin e ndonjë projekti të domosdoshëm me OSBE për periudhën në vijim, të cilat mundësisht, të mos jenë në vlera të mëdha dhe të jenë afatshkurtra, duke gjykuar edhe mbi mundësitë për mbështetjen e këtyre projekteve nga institucionet apo organizata e donator të tjerë ndërkombëtarë”.