xhih

SIRI – Sipas Shërbimit Sekret Amerikan, rreth 15 mijë militantë nga 80 shtete besohet se kanë hyrë në Siri për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assad. Lajmin e bën të ditur prestigjiozja “The Washington Post”, përmes një harte e cila tregon numrin e personave që kanë udhëtuar nga shteti i tyre drejt Sirisë brenda një viti. Ndër shtetet e shënuara në hartë është edhe Shqipëria. Sipas studimit të CIA, “ISCR”, Qendra Ndërkombëtare e Studimeve për Radikalizimin dhe dhunën politike (International Center for the Study of Radicalisation and Political Violence) dhe “The Soufan Group”, brenda vitit, nga vendi ynë i janë bashkuar militantëve islamikë 148 xhihadistë. Shumë prej këtyre luftëtarëve besohet se tashmë janë pjesë e ushtrisë së Shtetit Islamik. Zyrtarët perëndimore janë të shqetësuar për faktin se çfarë mund të bëjnë këta shtetas kur të kthehen në shtetet e tyre të lindjes. Shifrat e luftëtarëve xhihadistë nga Europa Perëndimore janë marrë nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve për Radikalizimin dhe dhunën politike, ndërsa shifrat e tjera janë nga “The Soufan Group” dhe flasin për një periudhë nga dhjetori i vitit 2013 deri në tetor 2014. Vendet që rezultojnë të kenë një numër më të vogël militantësh islamikë janë: Bangladeshi, Kili, Japonia, Malajzia dhe Singapori. Këto shtete nuk janë treguar në hartë.
LUFTA
Kryeministri turk ka deklaruar se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për të lejuar Shtetet e Bashkuara për të përdorur bazat e tyre për sulme ajrore kundër ISIS-it. Parlamenti turk miratoi së fundmi një mocion, që u lejon forcave të huaja të përdorin bazat e saj për aktivitetet në Siri dhe Irak. Megjithatë, shefi i ekzekutivit thotë se bisedimet me Uashingtonin po vazhdojnë. Ndërkohë, një grup ushtarakësh amerikanë do të udhëtojë për në Ankara këtë javë, për të diskutuar programin e stërvitjes që shteti turk ka planifikuar për opozitën e moderuar siriane, si dhe mbi misionet që mund të kryhen nga bazat turke. Në ditët e fundit, luftëtarët e ISIS-it kanë avancuar drejt qytetit sirian të Kobanës, që është gjithashtu një pikë kyçe për kalimin e kufirit për në Turqi. Por si pala siriane, ashtu edhe ajo turke, nuk kanë qenë në gjendje të fitojnë terren kundër tyre, pavarësisht sulmeve të mëtejshme ajrore të forcave të koalicionit kundër pikave të ISIS në lindje dhe jugperëndim të qytetit. Turqia ka vendosur forcat e saj ushtarake në kufi, por deri tani ka përjashtuar mundësinë e operacioneve në terren dhe ka refuzuar të lejojë kurdët e Turqisë që të kalojnë kufirin për të luftuar.