masterplani
Një dokument tregon se një kafene është menduar të ndërtohet pranë parkut të lojërave për fëmijë, që Bashkia e Tiranës ka menduar të ngrejë në territorin e Parkut të Liqenit Artificial, një projekt që ka ngjallur reagimin e ashpër të qytetarëve të kryeqytetit.

Dokumenti për “Përgatitjen e masterplanit të parkut të liqenit dhe 5 projekte pilot për 5 site, në kuadrin e rehabilitimit të Parkut të Liqenit”, parashikon ngritjen e një ‘Grand Kafe’ paralel me parkun.

Shkresa e publikuar nga gazeta Shqip mban datën 25 shtator 2015 dhe mban firmën e “Willson+Bolles”, një prej studiove arkitekturore pranë kryeministrit Rama.

Në relacion thuhet se “zona e këndit të lojërave, sipas masterplanit, është paralel dhe ka lidhje të drejpërdrejtë me një hapësirë tjetër të quajtur ‘Grand Kafe’, një hapësirë kjo e rezeruva për prindërit, të cilët, duke pirë një kafe ose duke lexuar një gazetë, kanë në kontroll fëmijet e tyre.

Relacioni përcakton edhe vendin ku do të ngrihet kafeneja dhe disa specifikime të saj. “Në majën e kodrës, tarraca e ‘Grand Kafe’ është pajisur me kioskë akulloreje, gazet, platform vallëzimi, pikë informacioni në lidhje me parkun, si dhe një zonë për ndihmën e shpejtë”.
Po kush do ta menaxhojë këtë kafene? Përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës, që zbuluan se plani parashikonte edhe ndërtimin e kafenesë, thonë se ajo do të jetë e një klienti të Erion Veliajt.

Përfaqësues të bashkisë dhe mazhorancës, që kanë dalë publikisht në mbrojtje të Veliajt, pas valës së protestave kundër ndërhyrjes në park, e kanë mohuar planin për ngritjen e një kafeneje.

Deri tani, plani i parkut të lojërave është mbajtur sekret. Bashkia ka vepruar në mungesë të plotë të transparenëcs. Shoqëria civile e ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës për falsifikim të lejes së ndërtimit dhe dokumentave të tjerë.

Zyrtarë të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, të angazhuar në debatin publik për të mbrojtur Veliajn, u detyruan të pohojnë se nuk ka leje ndërtimi dhe as leje mjedisore. Dhe sipas tyre, këto leje nuk janë të nevojshme.

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin e kallëzimit të shoqërisë civile. Por kjo nuk e ka penguar bashkinë të vijojë punimet. Edhe pse rrethimi është shembur të paktën 3 herë nga qytetarët, bashkia duket e nxituar t’i përfundojë ato sa më parë.

Qytetarët i kërkojnë kryebashkiakut Erion Veliaj të bëjë transparencën e projektit. Por Veliaj ka preferuar që t’u përgjigjet me vazhdimin e punimeve dhe disa deklarata të bëra nga parku, të regjistruara me kameran e bashkisë, pa praninë e gazetarëve.