Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD gjatë ditës së sotme është vendosur që deputetët e opozitës të jenë të pranishëm në seancën e nesërme të Kuvendit dhe të mos ketë bojkot.

Deputetët e PD do jenë nesër të pranishëm në seancë për t’u përballur me kryeministrin, ndërsa kanë organizuar edhe një plan.

Ata do kenë me vete disa pankarta me mbishkrimin “Lironi kuksianët, arrestoni kriminelët”, të cilat do i shpalosin gjatë fjalës së kryeministrit Rama. Gjithashtu deputetet e PD nuk do lejojnë Ramën që të flasë.

Kujtojmë se para mbledhjes së grupit të PD, Basha zhvilloi një takim në seli me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi për të koordinuar qëndrimin e tyre në seancën e nesërme.

Gjatë protestës në Morinë kundër vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit u arrestuan 23 kuksianë, ndërsa 11 prej tyre u lanë në burg.