Partia Socialiste do të mbledhë sot kryesinë e saj. Burime nga selia rozë kanë bërë me dije se mbledhja e kryesisë pritet të fillojë rreth orës 9:00 të mëngjesit me një rend të gjerë pikash për diskutim.

Natyrisht që pika kryesore mësohet se do jetë aktualiteti politik dhe sjellja që duhet të ketë Partia Socialiste në vijim, në kushtet kur opozita ka braktisur institucionet dhe ka dalë në rrugë për të protestuar.

Burime nga PS për gazetën shqiptare kanë bërë me dije se nuk pritet të ketë ndryshim nga strategjia e ndjekur deri më tani nga mazhoranca, për të vijuar plotësimin e vendeve vakante në Kuvend deri në shterimin e listave shumëemërore të partive për të krijuar një Kuvend sa më funksional me një opozitë të re, shkruan GSH.

Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor.