Mziu

Fitore me 2696 vota avantazh, Mziu: Falënderoj qytetarët për votëbesimin
Xhelal Mziu është konfirmuar për herë të tretë si kryebashkiak i Kamzës. Përfundimi i numërimit të votave në Kamëz në mjediset e shkollës së mesme “Ibrahim Rugova” aty ku është vendosur KZAZ nr. 27, e ka nxjerrë fitues z. Mziu me një epërsi prej 2696 votash mbi kundërshtarin. Pas përfundimit të numërimit, z. Xhelal Mziu ka folur dhe për mediat që po transmetonin “live”. I pyetur për diferencën nëse ajo ishte në pritshmëritë e duhura, z. Mziu tha: “E rëndësishme është se ishte një fitore shumë e mirëpritur, jo vetëm nga unë, por edhe nga qytetarët e Kamzës. Dua t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët e Kamzës e Paskuqanit që më votëbesuan në këto zgjedhje. Do të mundohem maksimalisht që ta realizoj projektin për zhvillimin e Kamzës dhe Paskuqanit. Do bëj të pamundurën ta meritoj besueshmërinë e qytetarëve të cilën e konsideroj vërtet një përgjegjësi shumë të madhe për menaxhimin e qytetit për katër vitet që do vijnë. Jam i bindur që unë dhe ata së bashku do t’ia dalim në katër vitet që do vijnë ta bëjmë më konkurruese Kamzën dhe Paskuqanin”. Ndërkohë, pyetjes se a do të bashkëpunojë me Ramën, z. Mziu iu përgjigj: “Absolutisht, unë jam i hapur për të gjetur mjaft faktorë siç është qeveria, donatorë të huaj, donatorë vendas, partneriteti me qytetarët dhe sidomos biznesi për të bërë më të mirën për qytetin”.