10676245_729009123846221_6043021548311697118_n
TIRANE-Na morën dritën e syve. Bashkë me të, na kanë vrarë të gjithëve”. Ky është rrëfimi për “GSH” i xhaxhait të 19-vjeçarit Arbër Demiraj, i cili u vra mëngjesin e djeshëm pas një konflikti çasti te një klub nate pranë Rrugës së Elbasanit, ku mbetën të vrarë edhe tre persona të tjerë.

Familja Demiraj ditën e djeshme kishte hapur dyert e mortit, teksa nuk arrinin ta besonin se djali i tyre i vetëm nuk jetonte më. “Ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur me saktësi, por na morën në telefon dhe na thanë se çfarë kishte ndodhur. Na thanë që Arbri nuk ishte përfshirë në konflikt me asnjë, por ai ka qenë bashkë me djalin e tezes së tij. Një plumb ka në zemër dhe atë e ka marrë rikoshet, sepse autorët nuk kishin asgjë me Arbrin”, shprehet xhaxhai i tij, në sytë e të cilit duken lot për humbjen e nipit të tij.

Ai pohon se pak minuta para se të ndodhte ngjarja, Arbri ka telefonuar babain e tij dhe i ka thënë se për pak minuta do ishte në shtëpi. “Rreth orës 03:00 ka folur për herë të fundit me babanë e tij dhe i ka thënë se do vinte në shtëpi për pak minuta dhe se nuk vonohej shumë”, shprehet xhaxhai i të riut me origjinë nga Mati. Ai dhe familja e tij kanë vetëm një apel për drejtësinë shqiptare, që të japë dënimin maksimal për autorët e tragjedisë. “E dimë që janë arrestuar autorët e ngjarjes. Ne kërkojmë që shteti shqiptar të vërë drejtësi.

Autorët të varen në litar, sepse na kanë marrë dritën e syve. Ata nuk kanë vrarë vetëm Arbrin, por bashkë me atë na kanë vrarë edhe neve. Prandaj shteti shqiptar duhet të japë dënimin maksimal për autorët e ngjarjes”, shprehet xhaxhai i 19-vjeçarit, Arbër Demiraj. Ky i fundit ishte djali i vetëm i ish-prokurorit Skënder Demiraj. Nga të dhënat e vendit të ngjarjes mësohet se i riu është qëlluar me një plumb rikoshet në zemër, duke i marrë atij edhe jetën