xhafaj-tahiri-600x337_0

Në Ditën e Dëshmorëve edhe Policia e Shtetit përkujtoi efektivët e rënë në krye të detyrës. Ajo që ra në sy në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Akademisë së Sigurisë ishte mungesa e ministrit të Brendshëm.

Në vend të tij Elona Gjebrea, zëvendësministrja e cila po përjeton edhe një karrierë në ngritje. Ajo është e para në listën e Tiranës për deputet socialist, ndërsa Xhafa vetëm i dhjeti.

Por kjo nuk duket të jetë arsyeja përse ministri i ri i Brendshëm ka zgjedhur të punojë në “silent mode”. Fatmir Xhafaj duket se ka zgjedhur një tjetër model nga ai i parardhësit të tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Nëse Saimir Tahirin e gjeje pothuajse çdo ditë në ekran, në aktivitete të Policisë së Shtetit, Xhafaj nuk e pëlqen “marketingun”. Në 1 muaj e gjysmë në detyrë, daljet në media të ministrit të ri të Brendshëm numërohen me “gishtat e njërës dorë”.

Edhe në reagimin institucional, Xhafaj dallon shumë nga Tahiri. Përplasja me prokurorin e përgjithshëm për shkeljen e procedurave të asgjësimit të kanabisit mund të kishte qenë një mundësi e artë për Saimir Tahirin, një debatues i fortë dhe elokuent, për të vijuar debatin e ditës me zë dhe figurë, por jo për Xhafajn.

Megjithatë, menaxhimi i zgjedhjeve qoftë të dielën në Kavajë apo ato të 18 qershorit, do të jenë sfida e parë për Fatmir Xhafajn.