basha-dhe-tahiri
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një reagim për vrasjet makabre në Korçë e Fier, thotë se ato reflektojnë gjendjen e varfërisë dhe dëshpërimit ku ka hyrë shoqëria jonë.

“Jam i tronditur nga krimet e tmerrshme në familje në Fier dhe në Korçë. Jam veçanërisht i hidhëruar që këto krime kanë marrë jetë të pafajshme fëmijësh dhe grash.

Këto ngjarje më shumë se krime individuale reflektojnë gjëndjen e varfërisë dhe dëshpërimit ku ka hyrë shoqëria jonë, si dhe rënien e mbështetjes shoqërore për njëri-tjetrin.

Shqipërisë duhet t’i kthehet shpresa, duhet t’i kthehen mundësitë në mënyrë që të gjithë të jetojnë të mirëqenë dhe të qetë. Politika ka rolin kryesor për këtë gjë: ajo duhet të pushojë së punuari për pakicën dhe duhet t’u rikthehet njerëzve dhe halleve të tyre.

Ne nuk mund të vrasim njëri tjetrin, duhet të vrasim politikën e keqe. Ne duhet të japim jetën për fëmijët tanë dhe jo të marrim jetë fëmijësh.”

Por Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pyetur për ngjarjen e Fierit, ku një burrë hodhi gruan nga kati i 4 edhe pse ajo kishte një udhër mbrojtjeje, e politizioi çështjen duke thënë se politika “duhet t’i lërë dënglat.?

“Pyetje: Gruaja që u vra në Fier kishte një urdhër mbrojtjeje…

Ministri Tahiri: Detajet e çështjes do bëhen publike sipas rastit. Unë di të them që nga njëra anë duhet të punojmë më shumë për të pasur individë dhe komunitete më të informuara dhe më të organizuara për të refuzuar dhunën dhe për të referuar apo denoncuar dhunën sa më parë dhe nga ana tjetër duhet të punojmë të gjithë së bashku për të ndaluar promovimin e dhunës në parlament apo kudo tjetër.

Politika ka një detyrë shumë të madhe që është: – të promovojë modelin pozitiv të të jetuarit në këtë vend apo të të zgjidhurit të konflikteve.

Dhe kur edhe parlamenti kthehet në një arenë dhune, qoftë kjo dhunë verbale dhe jo rrallë edhe dhunë fizike, atëherë sigurisht sinjali që marrin qytetarët është sinjali më i keq i mundshëm.

Ndaj e përsëris, politika t’i lërë dënglat dhe të punojë maksimalisht për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të shohin se pa dhunë mund të zgjidhim shumë më shumë.”

Në Korçë sot një burrë vrau dy fëmijët e tij 4 dhe 6 vjeç dhe u vetëvra.