vrasja shijak
Para se të vriste veten, Dritan Petova foli për herë të fundit me vëllain dhe motrën e tij, që janë emigrantë në Greqi. Në gjendje të rëndë psikollogjike, pasi kishte qëlluar për vdekje bashkeshorten dhe vjehrrin e tij, 41 vjecari i dha fund jetës me një plumb. Nëna e Petovës mësohet të ketë thënë në polici se pas vrasjes, ai mori një shishe ujë në shtëpi dhe u largua me shpejtësi.

“Dritani erdhi në mëngjes herët në shtëpi e qëndroi vetëm dy minuta. Mori një bidon ujë, gjuha i rrinte e tharë, dhe iku me vrap. Ishte i zbehtë si limoni, me armën e gjahut në krah. Nxitonte, nuk tha çfarë kishte bërë. Mendova se kishte etje e po ikte prapë në punë”. Kështu deklaroi para oficerëve të policisë, Nazire Petova, nëna e 41 vjeçarit.

Nga ana tjetër, Nazire Petova tha se Dritani ishte në prag divorci me bashkëshorten e tij, 35-vjeçaren Zaje Petova, pasi kishin konflikte të vazhdueshme. Sipas saj, gruaja ishte larguar nga shtëpia dy javë më parë dhe kishte shkuar të qëndronte te prindërit e saj, së bashku me vajzën 12 vjeçe, ndërsa i biri 10-vjeçar kishte qëndruar më të atin.

“Djali nuk e pranonte që të ndahej nga gruaja. Kishte raste kur bënin sherre, pasi djali pinte”, pohoi nëna e autorit. Nëna e 41-vjeçarit, edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore, e sapodalë nga spitali pas një operacioni në zemër, ka bërë të gjitha përpjekjet e saj që i biri të hiqte dorë nga kërcënimet e tij se do të vriste vetën në shtyllën ku kishte hipur. Mes lutjesh dhe lotësh, duke i thënë se e ‘kishte falur për krimet’, i kërkoi djalit që t’i dorëzohej policisë.

“Tani, zbrit prej andej të keqen nëna, se çfarë u bë u bë. Asgjë nuk kthehet mbrapsht tani. Nëna të ka falur, të kemi falur të gjithë. Zbrit se ke dy fëmijë të vegjël për të rritur. Ke djalin që po të shikon nga shtëpia, ke vajzën që të do. As policët nuk do të të bëjnë asnjë gjë. Pasi të zbresësh, nëna do të të përqafojë.

Duhet të kërkojmë falje te shtëpia e nuses. Edhe fëmijët do të të falin. Zbrit, bëje për nënën tënde që është e sëmurë. Hidhe armën në tokë”, mësohet të ketë thënë mes lotësh e moshuara. Pavarësisht përpjekjeve të nënës dhe 2 negociatorëve të RENEA-s e forcave policore, 41-vjeçari në momentet që po zbriste shtyllën u vetëvra me armën e krimit.