Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është folur për projektligjin që propozoi opozita për vetingun e politikanëve. Ka qenë Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist që la të kuptohet se mazhoranca do të jetë kundër këtij projektligji, pak a shumë me të njëjtin arsyetim që përdori edhe Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së.

“Propozimi i Bashës është i dështuar dhe vetëm propagandë politike. Ky propozim është si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Ne jemi gati për veting të vërtetë dhe reforma në drejtësi e garanton 100% atë. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Jemi gati për çdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët”, mësohet të jetë shprehur Balla.

Nëse ky projektligji do të miratohej në parlament, Taulant Balla do të ishtë subjekt i “vetingut për politikanët”, sepse ka pranuar miqësinë me ish anëtarin e bandës së Lushnjës, Edmond Bego.

Vetingu i politikanëve sipas socialistëve do të kryhet nga drejtësia e re. Në përgjigjen që i dha opozitës për vetingun e politikanëve, Rama la të kuptohet se subjekt i këtij ligji nuk do të ishte vetëm ai, por edhe vetë Lulzim Basha, ish kryeministri Berisha dhe presidenti Ilir Meta.