Nuk ka fjalë për ta përshkruar, vlen sa një mijë fjalë një foto e saj, magjia që ajo sjell. Mjafton të thuash sy jeshilë, si smerald dhe fytyra mermer. Por padyshim, nuk ka sesi të jetë ndryshe, sepse përpos bukurisë, është këngëtarja e suksesshme e muzikës pop, Vesa Luma. Në intervistë për “Shekullin”, ajo rrëfehet për planet e saj në të ardhmen, ku nuk mungon një projekt i rëndësishëm televiziv në të cilin Vesa dëshiron që të gjithë energjinë e saj t’i përqendrojë aty. “Kam vite e vite pa iu rikthyer dashurisë tjetër time, që është televizioni dhe ndihem shumë e entuziazmuar”, shprehet Vesa në këtë intervistë. Kur ne e pyetëm për projektet e radhës dhe a do të vijë Vesa me një këngë të re këtë verë, ajo u shpreh skeptike për trendin e sotëm dhe për cilësinë e këngëve në tregun muzikor, duke thënë se “është si një rrugë pa zgjidhje”. Edhe pse cilësitë dhe mundësitë teknike janë të njëjta në raport me ato të tregut botëror, përzgjedhja e këngëve për të nga ana e këngëtarëve është fatkeqësisht sezonale. Për talentet e reja, ajo shprehet shumë optimiste dhe u kërkon të rinjve këngëtare të rregullojnë çdo gabim që mund të ketë bërë brezi i Vesa Lumës.

Vera është një stinë ku të gjithë këngëtarët promovojnë klipe dhe këngë të reja. Po ju Vesa keni ndonjë projekt që do ta publikoni këtë verë? Na flisni pak për të.

Është e vërtetë që kryesisht projektet muzikore shpërthejnë në verë… Ashtu siç kam bërë edhe unë deri vitin e kaluar, por këtë vit projektin veror e spostova për shumë arsye. Arsyeja kryesore është se, po punojmë për një projekt të rëndësishëm televiziv dhe dua që e gjithë energjia ime të përqendrohet aty. Kam vite e vite pa iu rikthyer dashurisë tjetër time, që është televizioni dhe ndihem shumë e entuziazmuar. I kërkoj ndjesë fansave të mi, të cilëve u kam premtuar një projekt shumë të bukur muzikor veror, por e di që më kuptojnë… Dhe premtoj që paralelisht do të vazhdoj edhe me muzikën, po aq fuqishëm si deri tani.

Në cilat koncerte do e shohim Vesën këtë verë?

Në koncerte jam kryesisht në vendet bregdetare dhe këtë vit publiku duket më i zjarrtë si asnjëherë tjetër… Ka ardhur një gjeneratë shumë e bukur, që na ndjekin në vendet më të bukura shqiptare.

Çfarë mendimi keni për tregun muzikor shqiptar, sa cilësor është ai në raport me tregun botëror?

Kjo është një temë më vete, që fatkeqësisht është si një rrugë pa zgjidhje… Për cilësi, di të them që tani mundësitë teknike janë të njëjta në raport me ato të tregut botëror, por përzgjedhja e këngëve për shijen time nga ana e këngëtarit është fatkeqësisht sezonale… Kjo duket, sepse këngët po zgjasin vetëm 2 muaj dhe aq…Domethënë i gjithë mundi dhe dashuria për muzikën shndërrohet në një facoletë. Duket sikur me vrap po bëhen këngët klipe.

Të bërit klipe në sezone verore është një trend i kohës, cilat janë pasojat e saj?

Gjithçka ndodh që të kapin kohën dhe të jenë para njëri-tjetrit. Në fund, prapë je aty ku ke qenë sot e shumë vite prapa. Ju e shihni edhe vetë, që nuk ka asnjë evoluim këngëtari si para 10 viteve e deri tani, po aty, në të njëjtat klube në të njëjtat vende me të njëjtat standarde. Akoma shumica e madhe e këngëtareve nuk i shkruajnë vetë këngët, prandaj dhe fatkeqësisht ankohet publiku, që nuk ka më emocion në këngë. Por, gjëja më e mirë që ka ndodhur këtë vit është që talentet e reja janë shfaqur më shumë se kurrë dhe i kanë dhënë freski tregut.

Nuk mendoni se i duheni tregut, duke sjellë gjithmonë hite?

Unë personalisht jam në një fazë që dua diçka më shumë se aq, dhe nuk po më le energjia e tepërt që të bëj prapë të njëjtën gjë që kam bërë para disa vitesh, dhe po punoj në atë drejtim. Shpresoj të kem durimin e mjaftueshëm.

Mesazhi juaj për të rinjtë që lançohen në tregun muzikor sot?

Vetëm të rinjtë kanë në dorë të rregullojnë çdo gabim që mund të kemi bërë ne, që tani po e pësojmë. Thjesht mos të reshtin së punuari me aq mundësi sa kanë, sepse gjithmonë do të jetë një “e mirë” që do të të gjejë dhe do të të ndihmojë të ecësh para.

Kohët e fundit, Vesën e kemi parë aktive në rrjetet e saj sociale dhe vumë re pasionin e saj për sportet ekstreme. Për habinë tonë ishte duke ngjitur një shkëmb në Gjirin e Gjipesë. Kur e pyetëm për bukuritë e bregdetit shqiptar dhe shpirtin e saj aventuresk ajo u shpreh se, edhe pse mund të duket një vajzë e qetë, është shumë sportive. Për sa i përket pamjes së mrekullueshme që të fal bregu i Shqipërisë, Vesa na thotë se, e kthen në kujtimet e bukura të adoleshencës, ku një grup i vogël nga Kosova para 9 vjetësh, gjatë një festivali, vizituan për të parën herë këto vende. Tani është e lumtur, që të gjithë shqiptarët kanë mundësi, kudo që janë, të shohin e prekin këto mrekulli. Ajo i fton ndjekësit e saj në këto plazhe, përmes rrjeteve të saj sociale. Për ata që eventualisht nuk kanë pasur mundësinë t’i shohin, dhe pse jo duke u bërë një promotore e mirë e turizmit.

Ju kemi parë që keni zgjedhur të pushoni në bregdetin shqiptar. Pse kjo zgjedhje? Bregdeti shqiptar është zgjedhja e duhur për ju?

Në fakt pushimet nuk i kam bërë akoma, isha dhe shfrytëzova të vetmin weekend të lirë dhe normalisht bregdeti shqiptar është i preferuari im, arsyeja është shumë e thjeshtë…Uji, natyra dhe ato plazhet e virgjëra janë gjithçka, kur përputhen me njëra –tjetrën. Nuk i kam gjetur askund tjetër. Si natyrë emocionale dhe artistike kjo më bën mua të lumtur…Më kthen në adoleshencën time, që është periudha më e bukur e jetës. Ishim një grup i vogël nga Kosova që gati 9 vite më parë, gjatë një festivali, pamë për të parën herë këto vende dhe tani jam shumë e lumtur, që kanë mundësi të gjithë shqiptarët kudo që janë të shohin e prekin këto mrekulli. E unë, me shumë kënaqësi përmes rrjeteve të mia sociale do t’i sjell më afër për ata, që eventualisht nuk kanë pasur mundësinë t’i shohin, dhe pse jo të jetë një zgjedhje e tyre.

Si ju lindi pasioni për sportet ekstreme?

Sado mund të dukem e qetë, por skena dhe sporti më tjetërson…Më jep një ndjenjë adrenalinë, që gjithmonë e kërkoj. Nuk jam dhe aq shumë guximtare, por gjithmonë provoj, sepse gjithmonë dua të di deri ku i kam limitet e mia. Kjo është një pikë e karakterit tim që më vjen mirë që e kam… Kam fat që unë dhe gjenerata ime jemi rritur kemi luajtur në natyrë e kemi prekur dhe ndjerë atë afër, ashtu siç duhet të jetë, ndaj tani jam më e sigurt.

Nuk e besoj se do ta bënim publike ditën e dasmës kurdo që do ta vendosim

Prej vitesh janë gjithmonë bashkë, të lumtur dhe të dashuruar si ditën e parë. Me finesë dhe spontane, Vesa na tregon dhe për planet e saj në të ardhmen dhe bashkëjetesën e saj me këngëtarin hip-hop Big Bastën. Nuk mungon dasma me të dashurin e zemrës dhe një fëmijë. “Jemi çdo ditë e më mirë bashkë, dhe duke qenë se jemi bashkë shumicën e kohës puna e dasmës nuk na tundon edhe aq”, shprehet Vesa. Megjithatë, kur ne e pyetëm për ditën e dasmës, na dha një përgjigje të zgjuar dhe diplomatike, për të ruajtur privatësinë e saj. “Shekulli” iu përcjell intervistën e saj të plotë për planet e saj të dasmës.

Prej kohësh jeni zhvendosur në Tiranë. Si është një ditë e zakonshme për Vesën në kryeqytetin shqiptar?

Tirana është një vend që të jep gjithçka të bukur, nga klima e jashtëzakonshme, deri te mirësjellja që njerëzit të ofrojnë. Jam prapë në lëvizje gjithë kohës për shkak të punëve e koncerteve, por jam e lumtur që u adaptova më shpejt seç e kisha menduar.

Më flisni pak për marrëdhënien tuaj me Big Bastën. Deri ku kanë shkuar planet tuaja për dasmën? A e keni vendosur datën e ceremonisë?

Jemi çdo ditë e më mirë bashkë, dhe duke qenë se jemi bashkë shumicën e kohës puna e dasmës nuk na tundon edhe aq. Por nuk e besoj se do ta bënim publike ditën e dasmës kurdo që do ta vendosim…

Si e mendoni veten tuaj pas disa vitesh martesë?

Nuk besoj se do të ndryshoj diçka …

A është në planet tuaj një fëmijë?

Për momentin nuk është, por t’ia lëmë kohës …(qesh)

Jeni ju një amvisë e mirë? Çfarë raporti keni me kuzhinën?

Çdo ditë e më shumë po ia dal besoj, është pyetje që Bigu e di më mirë këtë përgjigje. (qesh)