pol

Shkodër- Ky është rasti i shtetases Rudina. M, emigrante në Angli dhe me origjinë nga Zagora, e cila ndodhej në plazhin e Velipojës për pushime, informon korrespondenti ynë nga Shkodra Bepin Kolvataj.

Gruaja, e cila dhunohej nga i shoqi është paraqitur në dyert e stacionit policor të Velipojës, i cili është në varësi të komisariatit të Shkodrës, për të bërë një kallëzim ndaj tij.

R.M është pritur nga shefi i stacionit policor, Ernest Ndue Paluku. Ky i fundit, siç bëhet me dije dhe nga veprimet hetimore të policisë, nuk e ka kryer detyrën funksionale sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar asaj favore seksuale.

Këto veprime i ka kryer jashtë dëshirës së shtetases R.M., të cilës i premtonte mbrojtje për shqetësimet që i sillte bashkëshorti i saj.

Menjëherë Forcat e Sherbimit të Brendshëm janë vënë në veprim, duke bërë arrestimin Ernest Palukut.

Ndalimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse ka qenë vetë gruaja që ka bërë denoncimin, apo SHKB është informuar mbi rastin në rrugë të tjera.

Mbi funksionarin e policisë rëndojnë akuzat “shpërdorim detyre” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”.

Ky është rasti i dytë, pas skandalit në Sarandë, ku funksionarë të shtetit kërkojnë favore seksuale duke shfrytëzuar detyrën.