Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i konsideroi marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, si “shumë pozitive”. Në lidhje me rikandidimin e tij në Tiranë, ai u shpreh se ende nuk është përcaktuar, megjithatë Veliaj la të kuptohet se konfirmimi i tij në detyrë do të vijë pas procesit të llogaridhënies që po i nënshtrohen të gjithë kryebashkiakët e tjerë socialistë.

“Ne kemi nisur një proces dhënie llogarie në Partinë Socialiste për të gjithë bashkiakët tanë. Unë e drejtoj shoqatën e bashkive. Kështu që do të ishte abuzim që unë të thosha “po”, por unë i kam mbyllur punët e mia dhe janë këta të tjerët që janë problem.

Ne do të respektojmë të njëjtin regjim për të gjithë. Kemi një proces llogaridhënie bashkë me qeverinë në komunitet. Më rezulton që shumica e bashkiakëve tanë kanë punuar shumë mirë dhe po marrin feedback shumë pozitiv . Ka gjithmonë vend për përmirësim. Ama në fund të 61 ne do t’i nënshtrohemi të njëjtin proces.

Do të kërkojmë fillimisht votëbesimin nga Partia Socialiste për konfirmimin tonë, pastaj të publikut. Fakti që feedback-u është pozitiv në Tiranë sigurisht që më inkurajon, por ama unë si gjithë të tjerët, do të respektojmë të gjithë procesin e Partisë Socialiste” – tha Veliaj.